Përparimi i pandalshëm i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht botën e punës. Kompani të mëdha si Amazon kanë filluar tashmë të përshtaten me epokën e re teknologjike; ndërsa investojnë miliarda në zhvillimin e AI-së, kanë shkurtuar mijëra vende pune vetëm kohët e fundit, gjiganti amerikan pushoi nga puna 14 mijë punonjës. Eksperti i inteligjencës artificiale Jon Hernández paralajmëron se kjo është vetëm fillimi. Sipas tij, deri në vitin 2026 çdo punë që kërkon kompjuter mund të kryhet nga IA. “Kjo teknologji do të zëvendësojë pothuajse të gjitha punët, pa asnjë dyshim”, deklaron Hernández.
Edhe pse avantazhet janë të dukshme, përpunimi më i shpejtë i të dhënave, përmbledhje librash, menaxhim tekstesh dhe kursim kohe, pasojat në tregun e punës mund të jenë të rënda. Eksperti thekson se valën e parë të humbjeve të vendeve të punës do ta ndiejnë praktikantët, pasi detyrat e tyre janë më të thjeshta dhe lehtësisht të automatizueshme. Megjithatë, Hernández pranon se ka fusha që AI nuk do të mund t’i zëvendësojë plotësisht. “Nuk do t’i besoja kurrë fëmijët e mi një roboti dado”, thotë ai.
Rreth 1.2 milion njerëz në javë zhvillojnë biseda me ChatGPT që tregojnë se po planifikojnë të vetëvriten. Shifra vjen nga kompania e saj mëmë OpenAI, e cila zbuloi se 0.15% e përdoruesve dërgojnë mesazhe që përfshijnë tregues të qartë të planifikimit ose qëllimit të mundshëm të vetëvrasjes. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Sam Altman, vlerësoi se ChatGPT tani ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë.
OpenAI vlerësoi mbi 1,000 biseda sfiduese për vetëdëmtim dhe vetëvrasje me modelin e saj të fundit GPT-5 dhe zbuloi se ishte në përputhje me “sjelljet e dëshiruara” në 91% të kohës. Por kjo potencialisht do të thoshte që dhjetëra mijëra njerëz po ekspozohen ndaj përmbajtjes së IA-së që mund të përkeqësojë problemet e shëndetit mendor. Kompania ka paralajmëruar më parë se masat mbrojtëse të hartuara për të mbrojtur përdoruesit mund të dobësohen në biseda më të gjata dhe po punohet për ta adresuar këtë.