Aktualitet

Atentati në Lezhë, polici i pranishëm: Isha rastësisht, qëllova të neutralizoja autorët!

Një polic, i cili rastësisht ndodhej pranë berberhanes në fshatin Rrilë, Lezhë, në momentin kur mbrëmë ndodhi atentati me të plagosur, dëshmoi para bluve se nuk arriti të identifikojë autorët dhe se qëlloi me armë zjarri për t’i neutralizuar.

Isha rastësisht aty, nuk kam arritur t’i identifikoj. Kam qëlluar me armë zjarri për të neutralizuar autorët.

Mbrëmjen e djeshme, tre persona të armatosur që udhëtonin me një automjet tip “Audi” qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të berberhanes, ku ndodheshin pesë vetë. Efektivi që gjendej aty, iu përgjigj sulmit me armë zjarri, por autorët arritën të largoheshin.

Sokol Daci, 30 vjeç, pronar i berberhanes, mori tre plumba e po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku është në gjendje të stabilizuar. Ai nuk njihej si person me precedentë penalë. Krahas Dacit, dyshohet për një të plagosur të dytë, i larguar nga vendngjarja dhe që nuk është paraqitur në spital.

Katër plumba prekën dy biznese të tjera përballë berberhanes, fatmirësisht pa të lënduar. Policia sekuestroi gëzhoja automatikësh e pistoletash, shoqëroi disa persona dhe po analizon kamerat e sigurisë për të ndjekur lëvizjet e autorëve para e pas atentatit.