Audi raportoi një rënie prej 37.5% të fitimeve në gjysmën e parë të vitit, duke arritur në 1.3 miliard euro. Shkaktarët kryesorë të kësaj rënieje janë tarifat e reja amerikane, kostot e ristrukturimit dhe shitjet e dobëta në tregun kinez. Vetëm tarifat e reja i kanë kushtuar Audi-t rreth 600 milionë euro. Për më tepër, kompania ka bërë parashikime më të ulëta për të ardhurat vjetore, duke i reduktuar ato me 2.5 miliardë euro. Audi po përballet edhe me sfida të mëdha në Kinë, veçanërisht në tregun e makinave elektrike. Megjithatë, drejtuesit e saj thonë se marrëveshja e fundit tregtare BE-SHBA mund të sjellë stabilitet në të ardhmen.
Shumë pronarë makinash elektrike sot i karikojnë automjetet e tyre duke paguar direkt në stacionin e karikimit, pa qenë anëtarë apo abonentë të kompanive që menaxhojnë këto stacione. Ky lloj karikimi quhet karikim ad hoc dhe përfshin pagesë një herë. Para një viti, BE-ja, përmes rregullores AFIR, vendosi që të gjithë stacionet e karikimit duhet të ofrojnë këtë opsion. Megjithatë, tani Klubi Gjerman i Automjeteve (ADAC) paralajmëron për mangësitë e karikimit ad hoc.
Është kryer një test i gjerë në stacionet e karikimit pranë autostradave, ku janë studiuar ndryshimet në çmime midis karikimit me anëtarësi dhe pa anëtarësi. Diferencat në çmime u treguan shumë të mëdha dhe karikimi i makinës elektrike pa anëtarësi është shumë më i shtrenjtë. Në një prej stacioneve, çmimi ndryshonte deri në 62 për qind. Përveç çmimeve, teknologjia ndonjëherë nuk ishte e përshtatshme për konsumatorët. Disa pika pushimi dhe stacione për kamionë ende kanë stacione të vjetra pa lexues kartash, të cilat mund të përdoren vetëm përmes kodit QR, kartës së përdoruesit ose aplikacionit të ofruesit përkatës.