Aktualitet Sociale

Avokati i Popullit: Duhen veprime konkrete për mbrojtjen e grave dhe vajzave!

Institucioni i Avokatit të Popullit në vend, rikonfirmon angazhimin e palëkundur për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të luftuar çdo formë dhune ndaj tyre, duke iu bashkuar si çdo vit fushatës globale të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Nën sloganin e këtij viti: “Asnjë Justifikim: Bashkë kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave,” ky institucion do të angazhohet në aktivitete sensibilizuese, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe nevojën për veprime konkrete në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri.

Prej gati një viti, Avokati i Popullit ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi vizuale që përfshin një seri mesazhesh kushtuar Ditëve Portokalli, duke sjellë në vëmendje datën 25 të çdo muaji, për të përkujtuar viktimat e dhunës dhe promovuar të drejtat e grave në sfera të ndryshme të jetës.

Kjo fushatë ka si qëllim: Vlerësimin dhe promovimin e kontributit të grave nga profesione, komunitete dhe realitete të ndryshme, duke i kthyer ato në shembuj frymëzimi për shoqërinë; Nxitjen e ndërgjegjësimit mbi format e shumta të dhunës me bazë gjinore dhe mbi mekanizmat e mbrojtjes që ofron shteti dhe shoqëria civile; Dhënien e një mesazhi optimizmi dhe shprese, duke e kthyer ngjyrën portokalli në simbol të një të ardhmeje pa dhunë.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i përkushtuar në: Garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbështetjes për çdo grua që përballet me veprime të dhunshme të çdo lloji e natyre; Nxitjen e politikave të reja që adresojnë rrënjët e dhunës me bazë gjinore; Krijimin e hapësirave të sigurta ku gratë dhe vajzat mund të kërkojnë ndihmë dhe të rigjejnë fuqinë e tyre; Përpjekjen e pandalshme për të forcuar barazinë gjinore, duke avancuar përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në të gjitha fushat, përfshirë edhe politikën.