Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar në rrjete sociale dy fragmente nga dosja hetimore e SPAK në ngarkim të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe 5 vartësve të saj, të gjithë të akuzuar për veprën penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Të pandehur janë Gentian Gjyli kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, i cili është i arrestuar për në tjetër çështje, drejtori aktual i OSHEE-së Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Kjo çështje është vënë nën hetim pas kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion nga Gazment Bardhi. Në shkrimin e publikuar ai ironizon Belinda Ballukun duke thënë ‘E pandehura Belinda Balluku mendoj se duhet të udhëheq procesin e integrimit europian. Me atë rast, i tregon edhe BE sesi mund të bëjnë korrupsion dhe sesi mund ti ndajnë tenderat për qoka pushteti’.
Bardhi ka shkëputur nga dosja hetimore një bisedë të zhvilluar mes Belinda Ballukut dhe Ervis Berberit ish-drejtor i ARRSH-së, i arrestuar tashmë për një tjetër çështje. Në mesazhe Balluku i shkruan Berberit për ta pyetur mbi një procedurë të ndryshuar lidhur me tenderin e hapur për tunelin e Llogarasë.
Pjesë nga dosja hetimore e publikuar nga Gazment Bardhi:
Në lidhje me këtë veprim të njësisë së prokurimit, nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënava teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasit Evis Berberi dhe Belinda Balluku, si më poshtë:
Në datën 26.01.2021, në orën 12:25, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shetasit Evis Berberi mesazhin: “Nje pyetje”. Në orën 12:25, Evis Berberi: “Po”. Në orën 12:26, Belinda Balluku: “Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”. Në orën 12:26, Evis Berberi: “Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit”. Në orën 12:27, Belinda Balluku: “Po cne? Kush e beri kerkesen e KPP?”. Në orën 12:27-12:31, Evis Berberi: “Ne kpp cfare kerkese eshte bere patem ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kerkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit Te takimi ge Sipas Vkm eksperienca duhet kerkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar perpara takimit me Pellumbin kete gje me ty”.
Ndër të tjera Bardhi shkruan se ndihet krenar për kallëzimet publike që janë bërë nga opozita dhe vetë ai lidhur me këtë çështje.
“I tronditur nga dosja penale e një Zëvendëskryeministri që e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë. Opozita do të bëjë transparencë të plotë të aferës korruptive të Belinda Ballukut që tregon sesi funksionon shteti nën drejtimin e Edi Ramës. Ndjehem krenar që aferat e kësaj Qeverie, grupi ynë parlamentar jo vetëm i denoncon publikisht, por edhe institucionalisht në SPAK. Procedimi penal nr. 181, viti 2024, që ka nisur mbi bazën e kallëzimit tonë, nuk do të jetë kurrë i plotë nëse paratë e korrupsionit nuk kthehen në Buxhetin e Shtetit”, shkruan Gazment Bardhi.