Rajoni

Bashkimi Europian sot vazhdon diskutimet për Kosovën dhe Serbinë!

Këshilli Europian sot diskuton për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në ditën e dytë të samitit të Bashkimit Europian (BE), pas një dite me takime të shumta, por jo të suksesshme që Albin Kurti e Aleksander Vuçiç patën me liderët e Unionit, dje në Bruksel.

Në një konferencë shtypi pas mesnate, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se “Këshilli nuk diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike” e shtoi se “mbështesin normalizimin e raporteve dhe shtensionimin e situatës.

Për këtë do të diskutojmë sot në takimin e Këshillit.

Në takimin e sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet të shprehin shqetësimin e thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, të dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, të kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë e që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës e Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu, pa vonesa e pa kushte.

Kur u pyet për akuzat se Komisioni Europian nuk ka qëndrim të barabartë, pasi në fillim të vitit mori masa ndaj Kosovës, por jo kundrejt Serbisë lidhur me sulmin e Banjskës, presidentja  Ursula von der Leyen tha se presin rezultatin e hetimeve rreth sulmit, për të cilin Kosova akuzon Serbinë ndërsa kjo e fundit mohon përfshirjen.

Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje. Hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të mbyllen, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa e llojin e tyre.

Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh dje në Bruksel. Sipas liderëve  të Unionit, arritjen e dakordësisë e penguan kushtëzimet që paraqitën palët. Kryeministri Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, këmbënguli në zbatimin e asaj që “është firmosur”.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja nuk u mundësua, pasi “parakushtet e njërës palë nuk ishin të pranueshme për tjetrën”. Temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i prezantuar në Prishtinë e Beograd më 21 tetor. Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun lidhur me normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë.