Aktualitet Lajmet e fundit

Bashkitë realizojnë vetëm 5% të programit vjetor në 3-mujor!

Pavarësisht faktit se në tre muajt e parë të vitit, vendi ishte i përfshirë në fushatë zgjedhore dhe pushteti lokal u vu në lëvizje për të qenë më pranë qytetarëve, sërish realizimi i investimeve publike nga bashkitë vijoi të jetë shumë i dobët.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 3 muajt e parë, bashkitë investuan vetëm 1.8 miliardë lekë (18 milion euro) ose vetëm 5% e fondit vjetor prej 35,7 miliardë lekësh. Me këtë ritëm, performanca e investimeve nga pushteti vendor do të jetë edhe më e ulët se vitin e kaluar, kur u realizua vetëm 43 % e programit.

Nga 18 milion eurot e investuara, një pjesë e madhe tyre shkoi për investime dhe rikonstruksion, asfaltim, mirëmbajtje të rrugëve në zona rurale e urbane, si dhe përmirësim i rrjetit të ndriçimit publik. Një pjesë shumë e ulët e fondeve u përdor për rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare, atyre të mesme, kopshteve e çerdheve.

Qeveria qendrore dhe ajo vendore, vitet e fundit po thellojnë problematikën e mosrealizimit të programit të investimeve. Shumica e bashkive nuk arrijnë të realizojnë as 40% të programit për shkak të planifikimit të dobët e vonesave.

Bashkitë vuajnë nga mungesa e stafit të kualifikuar në menaxhimin e projekteve, sidomos në planifikimin dhe monitorimin e investimeve kapitale. Procedurat e tenderimeve shpesh kontestohen në mënyrë të përsëritur nga kompanitë pjesëmarrëse, duke sjellë vonesa.

Analizat e ekspertëve kanë treguar se koordinimi ndërinstitucional mes bashkive, qeverisë qendrore dhe agjencive të tjera është dobët, duke krijuar pengesa burokratike dhe vonesa shtesë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e kaluar, njësitë e pushtetit vendor dogjën më shumë se gjysmën e programit të investimeve publike.

Të dhënat finale mbi Buxhetin 2024 tregojnë se pushteti vendor realizoi vetëm 43% të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 ose më pak se gjysma e programit.

Paaftësia e bashkive për të alokuar investimet vjen në një kohë kur ata janë para nevojave të mëdha për të investuar sidomos në infrastrukturën e rrugëve lokale vendore. P.sh. Bashkia e Durrësit, mikpritësja kryesore e turistëve në vend dhe me nevoja të mëdha në infrastrukturën vendore ka realizuar vetëm 50% të programit të investimeve për vitin e kaluar.

Në bashkitë me qendër prefekture shihet se Vlora kishte realizimin më të dobët me vetëm 17% të programit. Më 2024-ën u investuan vetëm 251 milion nga 1,4 miliardë lekë që ishte programi vjetor./ Monitor