Aktualitet

Arkëtimet e bashkive më 2024-ën, Klosi e Lezha me rritjen më të fortë!

Të 61 bashkitë e vendit paraqiten me diferenca të mëdha në kapacitet e menaxhimit financiar dhe sidomos me ofrimin e shërbimeve ndaj komuniteteve ku qeverisin. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e kaluar, bashkitë e Klosit, Lezhës, Tepelenës, Fushë-Arrëzit, Roskovecit e Kurbinit kishin rritjen më të lartë të të ardhurave vendore. Në anën tjetër, bashkitë e Pustecit, Poliçanit, Rrogozhinës, Këlcyrës, Përmetit e Dropullit patën rënien më të madhe të të ardhurave nga taksat vendore më 2024 në krahasim me 2023-shin.

Performancën më të mirë fiskale për vitin e kaluar e kishte Bashkia e Klosit, që nga taksat vendore arkëtoi 98% më shumë të ardhura se më 2023-shin. Klosi është bashki e vogël me një program të ardhurash vendore rreth 70 milion lekë për vitin 2024, por Ministra e Financave raportoi se kjo bashki kishte rritjen më të madhe të arkëtimeve nga taksat e veta.

Bashkia e Lezhës ishte e dyta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore nga burimet e veta, me gati 80% më shumë se në vitin 2023. Në bregdetin e Lezhës, vit pas viti po shtohen strukturat akomoduese për shkak të zgjerimit në dy anët e qytetit të vjetër të Shëngjinit, çka po ndikon pozitivisht në burimet financiare të bashkisë. Lezha renditet ndër bashkitë me administrim me të mirë financiar edhe sa i përket investimeve.

Bashkia e Tepelenës u rendit e treta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore, me rreth 78% më 2024-ën, në krahasim me 2023-shin, e ndjekur nga Bashkia e Fushë-Arrëzit me 70% rritje.

Nga të 61 bashkitë, në 49 prej tyre, të ardhurat u rritën. Në 12 pësuan rënie. Performancën më të dobët fiskale më 2024-ën e kishte Bashkia e Pustecit, me rënie të arkëtimeve nga burimet e veta, me 76%. Kjo bashki është nga më të voglat në vend për numër banorësh dhe me një popullsi shumë të plakur. Ajo shtrihet në buzë të liqenit të Prespës dhe ka mjaft burime turistike për t’u zhvilluar, por pakësimi e plakja e popullsisë po e kushtëzon.

E dyta për rënien më të madhe të të ardhurave ishte Bashkia e Poliçanit, me 35%, e ndjekur nga Rrogozhina -25%, Këlcyra me -19%, etj.

Në bashkitë e mëdha me qendër qarku, të ardhurat u rritën ndjeshëm, nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë. Psh, në Bashkinë e Tiranës, të ardhurat nga burimet e veta u rriten 31% vitin e kaluar në krahasim me 2023-shin. Në Bashkinë e Durrësit me 28%, Elbasanit me 26 e Shkodrës me 21%.

Në të gjithë vendin, bashkitë grumbulluan nga të ardhurat e veta 44,4 miliardë lekë në vitin 2024 ose 27% më shumë se më 2023-shin. Kontribuesja kryesore ishte Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Vitin e kaluar, treguesi i autonomisë financiare në pushtetin vendor arriti në 60% nga 51 që ishte më 2023-shin./Monitor