Bashkimi Europian dhe Meksika shprehën zhgënjim pas kërcënimit të presidentit Trump për vendosje të tarifës 30% në importet e tyre, nga 1 gushti. Meksika e kritikoi atë që e quajti “marrëveshje të padrejtë” duke insistuar se sovraniteti i saj është i panegociueshëm. Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen kërcënoi me marrjen e “kundërmasave proporcionale”, në rast nevoje.
Megjithatë, zyrtarë nga të dyja palët thanë se dëshirojnë t’i vazhdojnë negociatat me Shtetet e Bashkuara. Trump paralajmëroi tarifa më të larta në importe, nëse ndonjë prej partnerëve tregtarë vendosë të hakmerret.
Këtë javë, bëri të ditura tarifat e reja edhe për mallrat e Japonisë, Koresë së Jugut, Kanadasë, Brazilit e disa vendeve të tjera, përfshirë Serbinë dhe Bosnjën, po prej 1 gushtit.
Në letrën dërguar Bashkimit Europian, u shpreh se deficiti tregtar i SHBA-ve përbën kërcënim të sigurisë.
Ne kemi pasur vite për të diskutuar marrëdhënien tonë tregtare me BE-në dhe kemi ardhur në përfundimin që duhet të heqim dorë nga ky deficit tregtar i madh, i vazhdueshëm dhe i kërcënuar nga tarifat, politikat e barrierat tregtare. Fatkeqësisht, marrëdhënia jona ka qenë larg reciprokes.
Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan, Fox News, të transmetuar mbrëmjen e djeshme, Trump vuri në dukje se disa shtete “janë shumë të shqetësuara”, por theksoi se tarifat nënkuptojnë se në SHBA po hyjnë qindra miliarda dollarë.
BE-ja ka qenë shënjestar e shpeshtë e Trump-it për kritika. Më 2 prill, ai pati propozuar 20% tarifa në mallrat e bllokut europian. Më vonë kërcënoi me rritje të tarifës prej 50% për shkak të bllokadës në procesin e negociatave.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje para afatit të fundit, më 9 korrik, por nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për dakordësi. Vitin e kaluar, deficiti tregtar amerikan me bllokun europian ishte 235.6 miliardë dollarë, sipas zyrtarëve amerikanë.
Von der Leyen tha se BE-ja mbetet e gatshme për të punuar drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi se “kundërshton ashpër” njoftimin e Trump-it. Ai sugjeroi se nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë BE-ja duhet t’i përshpejtojë përgatitjet për kundërmasa.
Disa liderë të tjerë të BE-së bënë thirrje për marrëveshje me Trump-in. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni beson se mund të arrihet një “marrëveshje e drejtë”.
Nuk ka asnjë kuptim që të nxitet luftë tregtare mes dy anëve të Atlantikut.
Deri tani, presidenti amerikan ka arritur marrëveshje tregtare me dy vende, Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin. Bisedimet vazhdojnë me shumë shtete të tjera.