Rajoni

Asgjë e re nga Kuvendi i Kosovës, nuk konstituohet as pas përpjekjes së 22-të!

Ashtu si në 21 përpjeket e mëparshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe sot dështuan të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Për të 14-ën herë, ligjvënësit refuzuan të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Kjo pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish sot që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Dështimi i radhës për zhbllokimin e ngërçit në Kuvend ndodhi rreth një orë pasi organizata të shoqërisë civile, përmes një performance, protestuan para Kuvendit në lidhje me moskonstituimin e institucionit ligjvënës.

Për çka ju kemi zgjedhë, Çdo vonesë ka kosto dhe Cirku i demokracisë ishin disa nga mesazhet e shkruara në fletë të bardha, të ngjitura në disa karrige të vendosura para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

Ky aktivitet është një shprehje publike e pakënaqësisë sonë në formën më konkrete të mundshme, duke vendosur 120 karrige të zbrazëta, të cilat përfaqësojnë secilin prej 120 deputetëve të Kuvendit, që nuk janë duke përmbushur mandatin e tyre për ta funksionalizuar Kuvendin, deklaroi Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Secila karrige përmban një mesazh, i cili është i drejtpërdrejtë ndaj secilit prej deputetëve, një thirrje serioze për të pasur përgjegjësi. Kemi vendosur edhe orë simbolike, të cilat përfaqësojnë alarmin që është ndezur prej kohësh, por që shumica e deputetëve nuk po e marrin parasysh.

Një ditë më herët, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e partisë së tij se kandidatura e Haxhiut për kryetare nuk do të tërhiqet, teksa fajësoi partitë e tjera për mospjesëmarrje në votimin e fshehtë.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Seanca e ndërprerë konstituive do të vazhdojë të enjten e 29 majit. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.