Bashkimi Evropian (BE) ka shumë gjasa ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste. Kjo u tha sot nga shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme.
Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që ta fusim Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste. Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist, u shpreh diplomatja e lartë para takimit në Bruksel.
Kallas deklaroi se ky hap e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me grupet xhihadiste si Al-Kaeda dhe Shteti Islamik. Ky veprim nga BE-ja do t’i dërgonte Iranit mesazh të fortë dënimi, pasi raportohet se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave që tronditën vendin.
Blloku prej 27 shtetesh pritet edhe të vendosë regjim vizash e t’i ngrijë asetet për 21 entitete shtetërore dhe zyrtarë iranianë, përfshirë ministrin e Brendshëm të vendit, për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave.
Autoritetet iraniane e pranojnë se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave, duke dhënë një shifër prej mbi 3 mijë viktimash, por thonë se shumica ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “protestuesit trazues”.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë këtë, duke theksuar se numri i viktimave është shumë më i lartë dhe me gjasë, kap shifrën e dhjetëra mijërave. Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, që qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit, apo IRGC, është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për të mbrojtur udhëheqjen klerikale.
Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.
Vlerësimi është se kanalet diplomatike do të mbeten ende të hapura edhe pas përfshirjes së Gardës Revolucionare në listë, tha Kallas.
IRGC-ja pritet të përfshihet në listën e zezë pasi Franca njoftoi dje se po e mbështeste këtë hap e pasi edhe Italia e ka ndryshuar qëndrimin paraprakisht.
Parisi ngurronte ta mbështeste shpalljen e IRGC-së organizatë terroriste, për shkak të frikës nga ndikimi mbi evropianët e ndaluar në Iran dhe dëshirës për t’i mbajtur të hapura lidhjet diplomatike.