Bota

BE paralajmëron masa të reja kundër abuzimit me AI, në shënjestër fotot e rreme me sfond intim!

Bashkimi Europian ka rënë dakord të ndalojë sistemet e inteligjencës artificiale që përdoren për krijimin e imazheve të rreme nudo, pas reagimeve të forta globale ndaj publikimit të përmbajtjeve jo konsensuale të gjeneruara nga chatbot-i Grok i Elon Musk.

BE-ja vendosi sot një vijë të kuqe. Inteligjenca artificiale kurrë nuk duhet të përdoret për të turpëruar, shfrytëzuar apo rrezikuar njerëzit. Për herë të parë, legjislacioni i BE-së ndalon në mënyrë specifike aplikacione të përdorura për situata denigruese, tha Michael McNamara-eurodeputet nga Irlanda.

Nisma e Bashkimit Europian vjen pas polemikave të shumta të shkaktuara nga një funksion i chatbot-it Grok, i cili u lejonte përdoruesve të krijonin imazhe të rreme nudo të të rriturve dhe fëmijëve duke përdorur fotografi reale, pa pëlqimin e personave të përfshirë.

Pak ditë më parë, edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi publikisht fotografitë intime të krijuara me inteligjencë artificiale, duke i cilësuar deepfake-t si një “mjet shumë të rrezikshëm”.

Ndalimi i ri pritet të përfshihet në ndryshimet e rregullave të gjera të Bashkimit Europian për inteligjencën artificiale, të miratuara në vitin 2024.

Ndërkohë, modelet e inteligjencës artificiale janë vënë nën një vëzhgim më të rreptë në BE gjatë javëve të fundit. Kjo ndodhi edhe pasi kompania amerikane Anthropic kufizoi publikimin e modelit “Mythos”, për të cilin vetë kompania ka shprehur shqetësime se mund të përdoret nga hakerët.

Gjithashtu, 30 deputetë europianë nga grupe të ndryshme politike i kanë kërkuar Brukselit të rishikojë rregullat për sigurinë kibernetike në një letër drejtuar institucioneve të BE-së.