Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla, së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në këtë javë në aktivitetet për 100-vjetorin e lindjes së Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.
Megjithatë, dyshime dhe kritika kanë lindur pasi Princeshat Beatrice dhe Eugenie nuk janë përfshirë në këto evente.
Sipas ekspertëve mbretërorë, vendimi është marrë me qëllim që vëmendja të fokusohet vetëm te figura e Mbretëresha Elizabeth II, duke shmangur çdo “shpërqendrim” nga anëtarët e tjerë të familjes.
Një koment i fortë erdhi nga eksperti Richard Fitzwilliams, i cili deklaroi se mungesa e Beatrice dhe Eugenie shihet si një “snub” (përjashtim i qëllimshëm), duke theksuar se organizatorët kanë dashur të shmangin çdo debat apo vëmendje dytësore gjatë ceremonive përkujtimore.
Sipas tij, edhe pse disa anëtarë të familjes mbretërore, përfshirë fëmijë dhe nipër të Mbretëreshës, kanë rol në jetën publike, këtë herë eventi është planifikuar të jetë më i kufizuar dhe i fokusuar te figura qendrore e monarkes së ndjerë.
Në aktivitetet përkujtimore pritet të marrin pjesë vetëm anëtarët “aktivë” të familjes mbretërore, si Princi dhe Princesha e Uellsit dhe Duka e Dukesha e Edinburgut, ndërsa disa evente do të përfshijnë edhe qytetarë të lindur në të njëjtën datë me 21 prill.
Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në vitin 2022 në moshën 96-vjeçare, pas një mbretërimi historik prej 70 vitesh, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të kujtohet me respekt në mbarë botën.