Celebrities Gossip Music Showbiz

Bebe Rexha në mesin e 100 këngëtareve më të mëdha të shekullit 21!

Bebe Rexha është zyrtarisht në mesin e 100 këngëtareve femra më të rëndësishme të shekullit 21, sipas një renditjeje të përpiluar nga Billboard. Këngëtarja shqiptare e hiteve “I’m Good (Blue)”, “I’m A Mess” dhe “Meant to Be” është pozicionuar në vendin e 90-të në këtë listë prestigjioze, e cila përfshin emrat më të mëdhenj të muzikës në dy dekadat e fundit. Për momentin, Billboard ka zbuluar vetëm pozitat nga 100 deri në 90, ndërsa pritet që në mesin e 100 emrave më të suksesshëm të shekullit të përfshihen edhe dy yje të tjera shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Ky vlerësim për Rexha-n vjen në një moment kyç të karrierës së saj. Pas një dekade bashkëpunimi me Warner Records, këngëtarja vendosi të ndërpresë kontratën me këtë label dhe të ndjekë rrugën si artiste e pavarur. Gjatë viteve, Bebe Rexha ka arritur të krijojë një identitet unik në industrinë e muzikës pop, duke u njohur si një nga tekstshkrueset dhe vokalet më të fuqishme të kohës moderne. Ajo ka bashkëpunuar me artistë të mëdhenj si David Guetta, G-Eazy dhe Florida Georgia Line, duke sjellë disa nga hitet më të dëgjuara të viteve të fundit.

Pritet që Billboard të publikojë pjesën e mbetur të listës në ditët në vijim, ku do të zbulohet se cilat këngëtare do të jenë në mesin e dhjetë emrave kryesorë të shekullit 21. Rexha ka arritur një tjetër moment historik në karrierën e saj si kantautore, duke u bërë një nga artistet me dy këngë të certifikuara si “Diamond” në Shtetet e Bashkuara. Lajmi u shpërnda nga një faqe e fansave të saj në platformën X, duke theksuar që këngët “Meant To Be” dhe “The Monster” kanë kaluar shifrën prej 10 milionë shitjeve secila, duke i dhënë asaj një tjetër njohje prestigjioze si tekstshkruese. Kjo arritje e jashtëzakonshme u shpërnda edhe nga vetë Bebe Rexha në InstaStory, ku ajo postoi njoftimin: “Nuk do ta besoja kurrë që do të shkruaja dy këngë të certifikuara Diamond”.