Travel

Bëhuni gati ta vizitoni, qyteti bregdetar më i bukur në botë!

Camogli, i vendosur rreth 30 kilometra nga Gjenova në veriperëndim të Italisë, zuri vendin e parë në listën e revistës Architectural Digest të qyteteve bregdetare më të bukura në botë, duke tejkaluar Kejp-Taunin, Rio de Janeiron dhe Hong-Kongun. Ndodhet në Rivierën Liguriane dhe është një destinacion i preferuar veror, me temperatura mesatare që arrijnë 27°C gjatë verës. Është i njohur si parajsë për fotografët, sepse shtëpitë e këtij qyteti me ngjyra pastel ofrojnë pamje tepër piktoreske, kurse restorantet dhe dyqanet bukura ia shtojnë hijeshinë. Konsiderohet gjithashtu si një nga vendet më të mira në Liguria për të parë perëndimin e diellit.

Përveç verës, Camogli vizitohet nga turistët edhe në fillim të majit, kur mbahet Sagra del pesce, një festival kushtuar specialiteteve lokale të peshkut. Ky aktivitet, i cili mbahet për më shumë se 70 vjet, është i njohur për atraksionin e tij kryesor; një tigan të madh me diametër prej katër metrash, në të cilin përgatiten tre tonë peshk të freskët gjatë një dite.

Camogli ka qenë prej kohësh një fshat peshkimi dhe qendër tregtare, me rrënjë që datojnë që nga kohërat e lashta. Camogli, fjalë për fjalë do të thotë “shtëpia e grave”, sepse për shekuj me radhë burrat shkonin në det dhe peshkonin, ndërsa gratë qëndronin në shtëpi. Në fund të shekullit të 19-të, flota e tij numëronte qindra anije, prandaj fitoi emrin “qyteti i një mijë velave të bardha”. Camogli është vetëm 20 minuta larg me tren nga Gjenova.

Ndërkaq, nëse rrezet e diellit janë pjesë e rëndësishme e pushimeve tuaja verore, ka një destinacion evropian që e lë pjesën tjetër në hije, sipas një studimi të ri të motit. Hulumtimi i realizuar nga platforma e pushimeve Holidu ka zbuluar se qytetet më me diell të kontinentit janë kryesisht në Spanjë, me tetë nga dhjetë qytetet më të diellit që ndodhen në këtë shtet. Sipas të dhënave të marra nga World Weather Online dhe të publikuara nga Dailymail, qyteti juglindor i Kartagjenës renditet si qyteti më me diell në Spanjë, me një mesatare prej 283 orësh diell në muaj.