Aktualitet

Bënte namin duke vjedhur biçikleta, kapet 36 vjeçari në Durrës!

Autor i dyshuar i vjedhjes së tetë biçikletave në zona të ndryshme të Durrësit, ra në prangat e uniformave blu. Policia arrestoi një 36 vjeçar në kuadër të operacionit të koduar “Bicycle 3”, që çoi në kapjen e tij. Policia vijon hetimet për identifikimin e të tjera vjedhjeve të mundshme të kryera nga ky shtetas.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bicycle 3”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit:

S.T., 36 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i 8 vjedhjeve të biçikletave, të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit, në territorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve, si dhe për identifikimin e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.