Aktualitet

Grabitet biznesi në Lushnjë, kapet njëri nga autorët/Në kërkim bashkëpunëtori!

Një biznes u grabit gjatë natës në lagjen Savër të Lushnjës, pranga njërit prej autorëve të dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Uniformat blu u vunë në lëvizje pas kallëzimit të një shtetasi se në biznesin e tij ishin vjedhur 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar:

Shtetasi I.S. denoncoi në Komisariatin e Policisë Lushnjë se në biznesin e tij ishin vjedhur 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera. Menjëherë pas kallëzimit, specialistët për Hetimin e Krimeve nisën punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Falë veprimeve të policisë u bë i mundur arrestimi i njërit prej autorëve, shtetasit E. P., 38 vjeç, banues në fshatin Pirrë. Ndërkohë është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë.

Policia vijon hetimet për identifikimin e ngjarjeve të tjera kriminale që mund të kenë lidhje me këta persona, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.