Belind Këlliçi sot u paraqit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor të njohur si “5D”. Në të njëjtën seancë u thirr edhe Arbjan Mazniku, bashkë me persona të tjerë që përbëjnë grupin e fundit të dëshmitarëve të caktuar nga Prokuroria e Posaçme. Në mesin e tyre janë Dritan Kadia e Gazmend Haxhia.
Deputeti i PD-së iu përgjigj pyetjeve të Ardian Lekës, avokatit të Mariglen Qatos, duke treguar si i ka marrë informacionet për denoncimet publike që bëri.
Vijnë informacione të tilla, shpesh rezultojnë të vërteta shpesh jo. Ka ardhur një zarf dorazi, është protokolli që s’merrem unë, drejtohuni Partisë Demokratike. Kush ka turnin, është në recepsion, Pëllumbi është njëri që mbaj mend, Arbeni, Iliri, Emiljana, varet kush ka qenë në turn.
Kam arritur përmes faqes së QKR-së fillimisht të ndjek kompaninë, kam bërë lidhjen e konfliktit të interesit dhe kam bërë një deklaratë publike. Do të kisha kërkuar të njihesha me procedurën se si bëhen pyetjet, e nderuar gjykatë. Duhet të kuptoni, kam bërë me qindra denoncime publike që përmbajnë emra e të dhëna dhe s’është e thjeshtë t’i kujtoj specifikisht të gjitha.
Duhet kuptuar koha, situata që janë bërë këto dokumente, pasi kam siguruar të dhëna që i kam parë me interes publik i kam denoncuar. Të dhënat që kam verifikuar që NIPT-et qëndronin, të afërmit qëndronin, kam reaguar dhe denoncuar, kam bërë kallëzim dhe i keni aty, citohet të ketë thënë Këlliçi në gjykatë.
Në informacionet që kam pasur bëhej fjalë për Tushen, Qaton mollën e më vonë infot që vinin në mos gaboj ishte Mazniku dhe Kacidhja, duhet t’i verifikoj dy të fundit pasi ishin një sërë drejtorësh që përfliteshin që ishin pjesa e kësaj skeme. Media dhe politika, njihesha me informacione përmes tyre. Skema zbërthehej çdo ditë, nga emisionet investigative, se si funksiononte ky rrjet.