Aktualitet

Ultimatum për Lungomaren, Rama: 48 orë kohë për t’iu kthyer trotuaret qytetarëve!

Brenda 48 orëve, kryeministri Rama kërkon lirimin e hapësirave publike në Lungomare të Vlorës dhe heqjen e strukturave të paligjshme. Në të kundërtën, paralajmëron zaptuesit se nga e hëna nuk do të kenë asgjë në dorë.

Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta!

Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite!

Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë, shkruan Rama.

Në një tjetër postim, kryeministri ka ndarë denoncimin e një qytetari, i cili i dërgoi një foto nga zaptimi i hapësirës publike në një kompleks pallatesh.

Krahas fotos, shefi i qeverisë shkruan: “Barrikada tipike që duhen shkulur nga vetë ngulësit e tyre, përpara se sa bashkë me shkuljen t’u mbetet në dorë edhe fatura e gjobës, bashkë me ndjekjen penale”.

Mirëdita kryeministër! Duke marrë shkas nga aksioni që keni nisur për zaptimin e hapësirave publike nga bizneset, bashkëngjitur po ju dërgoj një video të kompleksit ASL në Tiranë, në krah të spitalit të Neurokirurgjisë, njësia nr.3, ku për ne si banorë të kompleksit është e vështirë lëvizja për shkak se lokalet e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre edhe në hapësirën e përbashkët të pallatit. Video që do ju dërgoj e tregon qarte këtë situate, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Aksioni u paralajmërua dje nga Rama, i cili u ka lënë deputetëve dy javë kohë që të evidentojnë rastet në terren. Nëse nga bizneset dhe qytetarët nuk ka reflektim, në mesin e këtij muaji do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave publike.