Aktualitet Politikë

Berisha në SPAK: Nuk po sulmoj drejtësinë, por krimin brenda këtij sistemi!

Në zbatim të masës së detyrimit për paraqitje lidhur me dosjen “Partizani”, Sali Berisha sot u paraqit në SPAK. Në dalje foli për gazetarët:

Unë nuk po sulmoj drejtësinë, por po sulmoj krimin brenda këtij sistemi. Eshtë tjetër të formulosh akuza, tjetër të paraqesësh dokumente me vulë apostile. Vula apostile është dokument zyrtar i pakundërshtueshëm.

Në këtë kuadër, unë po i bëj një shërbim shqiptarëve, po u tregoj se çfarë llumi ka në organet e drejtësisë. Çfarë kriminelësh ka në këto organe. Se si përdorin ligjin dhe hetime për qëllime private dhe personale.

Janë sot 5 ose 6 rezoluta ndërkombëtare, të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë që damkosin politizimin dhe përdorimin e kësaj drejtësie si armë. Dakord, nuk janë të gjithë të kësaj mendjeje, por gradualisht kjo do të zërë vendin e vet sepse e vërteta vonon, por nuk harron.

Berisha sulmoi gjyqtaren Irena Gjoka dhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, të cilit i referohet si “Altin Troplini”.

Jam i bindur se çdo gjyqtar i ndershëm që jeton me djersën e tij, turpërohet 100 herë nga Irena Gjoka. Jam i bindur se çdo prokuror i ndershëm turpërohet nga Altin Troplini.

Pra, këtë punë duhet ta bëni ju gazetarët, por unë e bëj edhe për ju se ju u mungon kurajo në shumë raste, por unë u mirëkuptoj… …Sa herë i keni cituar ju këto dokumente që unë kam paraqitur?

Sa herë janë bërë objekt debati në studiot televizive Altin Troplini me këto që bën? A ka diskreditim më të madh për figurën e një prokurori se kjo që bën ky? A ka diskreditim më të madh për figurën e një gjykatëse se ajo që bën ajo?

Pra, nuk është ai që paraqet dokumentet që cënon sistemin, janë ata të cilët poshtërojnë sistemin, që kanë kryer krime dhe mbeten me çdo kusht në sistem. Troplini e mori përsipër. U vetëofrua për të hapur hetimin paraprak, e bëri vetëm me qëllimin që ta nxjerrë jashtë afateve.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se mbështet çdo prokuror e gjykatës, ndërsa theksoi se besimi i tij politik janë Kushtetuta dhe ligji. Lidhur me garën për kreun e SPAK-ut, u shpreh:

Unë jam këtu dhe njoh çdo institucion të këtij vendi. Janë 4 kandidatë. Një nga të katërt, s’kam asnjë lidhje e dijeni për asnjë prej atyre që zgjidhen. Uroj të jetë i pakapur nga krimi!

Absolutisht unë mbështes çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues, çdo polic dhe cilindo që zbaton ligjin. Unë jam njeri i shtetit ligjor. Besimi im politik janë Kushtetuta dhe ligji.

Sali Berisha u pyet në lidhje me kërkesën e presidentit të PL-së, Ilir Meta për t’u pyetur si person në dijeni për 21 Janarin:

Nuk kam dijeni se cilat gjëra di Meta, më shumë se ç’di unë. Mund të di, ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, manipulimin e një regjistrimi të ish-ministrit Prifti.