Sali Berisha tha sot se protesta e 20 shkurtit 2026 ishte “ditë triumfi për kryengritësit paqësorë”. Kryetari demokrat e vuri theksin te pjesëmarrja e të rinjve dhe adoleshentëve, duke akuzuar qeverinë, si dhe Edi Ramën e Belinda Ballukun për përdorim dhune.
Tubimit, Berisha iu referua si “kryengritja paqësore e 20 shkurtit, më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit 1991”.
Kryengritja jehoi dhe u shndërrua në mënyrë të rrufeshme në kryelajm në çdo votër shqiptare, por dhe në mbarë mediat më të mëdha të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Austrisë e në mediat më të mëdha të SHBA-ve.
Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin, në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Belinda Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura.
Guximi i kryengritësve paqësorë, mund të them, ishte i jashtëzakonshëm. Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes.
Sipas Sali Berishës, protestuesit u përballën me forcat e policisë për rreth tre orë, si edhe akuzoi qeverinë e policinë se përdorën mjete dhune ndaj protestuesve e të miturve pjesëmarrës.
Për tre orë, në bulevard, në parlament e në rrugët e Tiranës u zhvillua një betejë e paparë. Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, nuk kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë të kandidates tonë për deputete në Shkodër, intelektuales së njohur, Mehmeti.
Por, dhuna dhe terrori i policisë nuk kursyen adoleshentët, nuk kursyen të miturit. Protestuesit u qëlluan me snajper, me bombolat e gazit pas koke. Të tjerë u goditën me këpucë në kokë, të rrëzuar përdhe. Por, ata qëndruan të pamposhtur.
U përpoqën të frikësojnë të miturit e të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, në një kohë kur ata absolutisht po ktheheshin nga shkolla pasi kishin ngrënë së bashku diçka dhe sot janë në komisariat, vuri në dukje ndër të tjera kreu demokrat.
Më herët, policia raportoi për 18 të arrestuar, mes tyre 3 të mitur e 27 të proceduar. Për deputetin Klevis Balliu, nisi procedim në gjendje të lirë për “Organizim manifestimi të paligjshëm”.