Aktualitet

Protesta e opozitës në Tiranë, policia: 18 të arrestuar/Procedohet deputeti Klevis Balliu!

Hodhën lëndë piroteknike, molotovë e sende të forta, si edhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë tubimit të opozitës, të zhvilluar dje në Tiranë, identifikohen 46 shtetas.

Policia njofton për 18 të arrestuar, mes të cilëve tre të mitur e për 27 të proceduar penalisht. Ndërkaq, për deputetin demokrat, Klevis Balliu nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Sipas njoftimit zyrtar të bluve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Nga grupi hetimor, paralelisht vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë e të tjera sende të kundërligjshme.

Strukturat e Policisë Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundraligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajten e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përrreth territorit ku po kryehej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të polcisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:

A.K., 19 vjeç, D.G., 32 vjeç, A.I., 42 vjeç, V.I., 22 vjeç, E.Xh., 18 vjeç, K.N., 23 vjeç, R.I., 20 vjeç, E.C., 46 vjeç, R.P., 26 vjeç, M.K., 31 vjeç, A.D., 31 vjeç, K.K., 45 vjeç, F.D., 23 vjeç B.B., 23 vjeç, A.D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur;

Si dhe u proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K.B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.