Aktualitet Politikë

Berisha për protestën: Sot Tirana në duart e qytetarëve!

Kryetari demokrat, Sali Berisha ftoi qytetarët që sot pasdite të marrin pjesë në atë që e cilësoi “marshim në Tiranë”.

Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, e PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria, nga ky regjim, për shkak të varfërisë e privimit të lirive. Eshtë revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore.

Kreu i PD-së u shpreh se kjo është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.

Eshtë revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri. Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit. Kjo protestë, kjo revoltë zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash. Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve.

Po ashtu reagoi për bllokimin e rrjetit social TikTok në Shqipëri për 1 vit. Sipas tij, kjo çështje ka të bëjë me lirinë e fjalës. Berisha u shpreh se “PD-ja dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime në TikTok” e se “kryeministri Rama është tmerruar nga ky sukses”.

TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama. Ky akt ka arsye strikt karrigen dhe pushtetin e kryeministrit Rama. Nëse manipulon gjerësisht mediat, manipulon gjerësisht sondazhet, nuk manipulon dot TikTokun dhe rrjetet e tjera sociale. Ndaj dhe ai ka shprehur në mbledhjet e brendshme shqetësimin e madh për dominimin e opozitës në këto rrjet.

Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD-ja dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet. Eshtë pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën.

Berisha i garantoi të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut. Po ashtu, reagoi për rëndimin e akuzës me kërkesë të GJKKO-së për ish-ministrin Ilir Beqaj. Sipas tij, kjo është meritë e opozitës dhe protestës së qytetarëve.