Partia Demokratike ka vijuar turin e Foltores me Degën 2, në Tiranë.
Kreu i PD Sali Berisha në takimin e zhvilluar me qytetarët tha se opozita u krijua në terrenin më armiqësor dhe se ia arriti që të mbrojë dhe të krijojë një demokraci.
“Në 35 vite kur vështrojmë pas ne vijmë këtu si njerëz të idealeve. Si njerëz që sakrifikuan për idealet më fisnike, për lirinë e individit, për votën e lirë, për familjen. Pra ne jemi njerëz që jemi udhëhequr dhe kemi mbrojtur të vërtetat më të mëdha të një shoqërie. Ne u krijuam në një terren më armiqësor. Një terren që opozita ishte një mallkim, por ne ia dolëm që në vendin e diktaturës më ekstreme të ndërtojmë rendin demokratik, ekonominë e tregut. Që në themelim morëm përsipër misione të mëdha. Ka qenë misioni ynë për lirinë që ne të realizojmë ato që bëmë”, tha ai.
Më tej theksoi se “partia e krimit” bëri gjithçka për të rrëzuar opozitën, por siç tha Berisha nuk ia dolën. Kreu i PD Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion.
Ai gjithashtu denoncoi, duke sjellë në vëmendjen rastin e Ergys Agasit duke thënë se në emër të Suel Çelës dhe Troplinëve shkarkon njëri pas tjetri ministrat. Berisha po ashtu akuzoi qeverinë për lidhje me krimin.
“Baronët e drogës ndërtojnë kullat, por shqiptarët marrin rrugët e botës. Ergys Agasi në emër të Suel Celës dhe Troplinve shkarkon njëri pas tjetrit ministrat. Jeni dëshmitar që 4 muajt e fundit mesazhet që kanë ardhur nga SHBA janë për luftën kundër karteleve të drogës dhe lidhjet e tyre me drogën”, tha ai.
Gjithashtu Berisha nënvizoi se kryeministri Edi Rama shndërroi zgjedhjet në farsë.
“Partia në pushtet nuk mund të ketë emër tjetër veçse parti e krimit. Ajo është rritur me gjakun e shqiptarëve të ndershëm. Ka mbijetuar me shtypjen më të egër të shqiptarëve. Dhe sot ajo vjedh shqiptarët dhe po shkatërron kombin e saj. Në diktaturën e Enver Hoxhës votohej me dajre e daulle ishte mbjellë terror. Po sot ku jemi? Sot sërish në diktaturë që dallon nga e para. Kjo pluralizmin e shndërron në fasadë. Edi Rama shndërroi zgjedhjet në farsë. Sot forca jonë politike ndodhet në një moment të vështirë, por përcaktues për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga njëra anë ky armik i votës së lirë zgjedhje nuk bën, ose i bën farsë”, tha ai.