Pas zhurmës së madhe që shkaktoi me konfirmimin e marrëdhënies së tij të re, aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku, ka ndarë me ndjekësit një tjetër mesazh domethënës, që duket se pasqyron qartë gjendjen e tij shpirtërore.
Vetëm pak ditë më parë, Besi “pushtoi rrjetet sociale” me një fotografi simbolike, ku shfaqeshin dy duar të shtrënguara fort, ndërsa në parakrahun e tij dallohej i tatuazhuar emri “Ejona” dhe data “25.12.2025”.
Ky detaj u interpretua gjerësisht si shenjë e nisjes së një kapitulli të ri në jetën e tij, pas ndarjes nga Xhensila Myrtezaj.
Në postimin e tij më të fundit në Instagram, aktori ka zgjedhur të shprehet përmes një citati biblik. Përmes një fotografie bardhë e zi, ku shfaqet i qetë dhe me një buzëqeshje të lehtë, ai ka cituar Psalmin 30:11:
Ti më ke kthyer vajtimin në valle, më ke hequr rrethin e fatkeqësisë dhe më ke mbushur me gëzim!
Ky dedikim është parë nga ndjekësit si një reflektim i drejtpërdrejtë i fazës së re që po përjeton Bes Kallaku, duke lënë pas periudhën e vështirë emocionale dhe duke përqafuar një realitet të ri, më të qetë dhe më të lumtur.
Data 25 dhjetor duket se ka qenë një pikë kthese për aktorin, i cili tashmë nuk heziton të shprehë hapur mirënjohjen dhe lumturinë për këtë “gëzim” të ri që ka hyrë në jetën e tij.