Beyoncé është në qendër të një polemike ligjore pas akuzave për përdorim të paautorizuar të pamjeve nga Sphere në Las Vegas, gjatë turneut të saj më të fundit “Cowboy Carter”.
Gjatë koncertit në Los Angeles, këngëtarja shfaqet në një video duke “marrë nën kontroll” strukturën futuristike të njohur si Sphere – gjë që ka zemëruar kompaninë ‘Sphere Entertainment Group’, e cila ka reaguar menjëherë.
Sipas “Page Six”, avokatët e James Dolan, pronarit të Madison Square Garden dhe Sphere, i kanë dërguar Beyoncé-s dhe kompanisë së saj Parkwood Entertainment një letër zyrtare, duke kërkuar që pamjet të hiqen menjëherë nga të gjitha koncertet dhe materialet promovuese, duke i akuzuar për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Kompania i ka dhënë këngëtares afat deri të hënën për të ndërmarrë veprimet e kërkuara, përndryshe ka paralajmëruar masa të tjera ligjore.
Ndërkohë, turneu i Beyoncé-s vazhdon në qytete të mëdha si Çikago, Hjuston, New York dhe Londër, për t’u përmbyllur në Las Vegas në fund të korrikut – pikërisht në vendin që ka nxitur këtë përplasje të re ligjore.