Aktualitet Tech

Bie Amazon AWS/Nga Canva në Snapchat: Shumë aplikacione me probleme!

Një problem teknik me AWS (Amazon Web Services) ka shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të shumë prej aplikacioneve më të njohura në botë, duke përfshirë Snapchat, Duolingo, Fortnite, Canva, Alexa, Zoom dhe Roblox. Ndërprerjet filluan të ndodhin globalisht në orën 8 të mëngjesit sipas orës sonë. Platforma cloud e gjigantit amerikan ofron shërbime kyçe për aplikacione dhe faqe interneti të shumta.

Shërbimet e operuara nga Amazon Web Services (AWS) janë goditur nga një mosfunksionim serioz teknik që shkaktoi ndërprerje të përhapura në disa vende, përfshirë Shqipërinë. Në veçanti, rajoni “US-EAST-1”, në Virxhinian Veriore, duket se është qendra e anomalisë së raportuar nga vetë kompania. Kjo rezultoi në bllokimin e dhjetëra aplikacioneve, faqeve të internetit bankare dhe portaleve institucionale, duke prekur miliona përdorues në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Operacionet e rikuperimit janë në vazhdim.

Sipas informacionit zyrtar të ofruar nga AWS, problemi përfshin rritjen e shkallës së gabimeve dhe vonesave për “Shërbime të shumëfishta AWS” në rajonin US-EAST-1. Një shkak i mundshëm i identifikuar ishte një problem me zgjidhjen e DNS-së për një pikë fundore të AmazonDynamoDB API, i cili pati efekte rrëzimi në shërbimet e tjera të platformës cloud.

Ndikim global dhe i gjerë:

Platformat e prekura përfshijnë aplikacione dhe faqe interneti si Snapchat, Duolingo, Roblox e Fortnite, si dhe shumë shërbime bankare dhe institucionale në Mbretërinë e Bashkuar. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, ndërprerjet u raportuan në faqet e internetit të institucioneve tatimore dhe bankave si HMRevenue & Customs (HMRC), LloydsBankingGroup dhe Bank of Scotland.

Çfarë po ndodh “pas skenave”

Kjo që ndodhi sot, po nxjerr në pah se si mbështetja në infrastrukturën e centralizuar të cloud-it – veçanërisht rajonet kritike si US-EAST-1 e AWS – mund të gjenerojë efekte të valëzuara kur ndodh një problem teknik.

Vetë AWS njoftoi se ka “angazhuar menjëherë” inxhinierë për të zbutur ndikimin dhe për të kuptuar shkakun rrënjësor. Sipas të dhënave të monitorimit, mijëra përdorues në zona të ndryshme gjeografike kanë raportuar ndërprerje të shërbimit. Referuar faqes së internetit DownDetector, mbi 15 mijë raportime u regjistruan në disa intervale kohore.

Pasojat për përdoruesit dhe bizneset janë të menjëhershme:

Ndërprerje në aksesin në faqet e internetit, vështirësi në hyrjen në aplikacione, ngadalësime në shërbimet bankare online dhe ndërprerje të konsiderueshme në platformat e lojërave dhe mediave sociale. Në afat të mesëm, anomalia mund të shkaktojë reflektim mbi strategjitë e qëndrueshmërisë së IT-së, shpërndarjen gjeografike të burimeve dhe kopjet rezervë. Kohëzgjatja e ndërprerjes nuk është përcaktuar ende.