Rrëshqitje masive dheu dhe shkëmbinjsh në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në afërsi të tuneleve. Mësohet se si pasojë e shirave të shumtë të orëve të fundit, u shkëput një sipërfaqe e madhe nga mali duke bërë bllokimin e plotë të aksit ndërsa kompania kontraktore e mirëmbajtjes është detyruar të vendosë në përdorim baypass provizor për kalimin e mjeteve.
Kjo është problematika më e madhe e evidentuar nga rrëshqitjet në këtë aks, ndërsa pritet që autoritetet të marrin masa për hapjen e rrugës.
Për shembjen e rrugës, reagoi opozita. Në një postim në rrjetet sociale, deputeti demokrat, Ivi Kaso shkruan:
Shembet dhe bllokohet rruga Qukës- Qafë Plloçë, e inauguruar 3 herë përpara zgjedhjeve në fushatë, dhe hapur përfundimisht në shtator.
Pavarësisht se në 16 vite të ndërtimit të saj, kostot u frynë në mbi 260 milionë euro nga 90 që parashikohej maksimalisht, ende kjo rrugë nuk ofron asnjë standart në siguri e në lëvizje.
Pas zbardhjes së aferës së tunelit të Llogarasë, kjo rrugë është afera e radhës që kërkon hetim dhe transparencë të menjëhershme!
Më herët sot, Ministria e Mbrojtjes përditësoi të dhënat për 24 orët e fundit dhe raportoi se përgjithësisht, situata nga moti i keq po shkon drejt stabilizimit. Por, në disa qarqe vijojnë problematikat nga prurjet e larta të lumenjve, rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimet në infrastrukturë.
Janë në rënie nivelet e shumicës së lumenjve ndërsa në zonat më të prekura, hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë. Forcat e emergjencave, ato të Armatosura, strukturat vendore dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbeten në terren për normalizimin e gjendjes e mbajtjen nën kontroll të zonave me risk.
Raportohet se një sipërfaqe prej 520 hektarësh tokë bujqësore janë nën ujë në Mamurras e në Lezhë ndërsa në dy fshatra të Fierit ka prani të ujërave në 25 banesa.