Të ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, kanë qenë Big Basta dhe Kelly, të cilët kanë sjellë projektin e tyre “Pa ty”. Bashkëpunimi vjen si një rikthim i këngës legjendare “Nuk di” nga Upstream dhe Kelly, nga Top Fest 5. Si erdhi ideja për të sjellë këtë version të ri dhe tematika e veçantë që përçon kënga, na flasin vetë Big Basta dhe Kelly…
Jeni nisur nga përvoja të miqve për të sjellë tematikën e divorcit në këngë?
Big Basta: Brenda familjes sime të madhe, në të gjitha rastet burrat kanë kaluar në shkatërrim total. Divorcin e kanë përjetuar shumë keq, vetmia, të nisësh një jetë të re me vuajtje dhe alkool. Ka nisur nga disa familjarë të mi.
Kelly: Thelbi është tek ringritja, mbas çdo vështirësie del dielli. I kushtohet të gjithë atyre që ndoshta po e kalojnë këtë gjë dhe mund të jetë një fije shprese, se jeta vazhdon, do shfletosh pas asaj faqeje që ke grisur.
Ju kanë ndihmuar bashkëshortet tuaja në projekt?
Kelly: Artisti mundohet të futet në lëkurën e asaj çfarë ndodh. Enisa është një nga mbrojtëset më të mëdha të grave, kishim disa gjëra që nuk binim dakord, por për temën ia vlen të flasësh, si për femrat, si për meshkujt.
Big Basta, a do të sjellësh një bashkëpunim me Vesën?
Unë po punoj albumin tim, por nga ana tjetër po punoj dhe albumin e Vesës. Në një lloj mënyre bashkëpunim është dhe ky. Ndoshta bashkëpunim në këngë, akoma jo. Do ta mendojmë mirë. Në këtë moment jam duke u marrë me tekstet.