Phoebe Gates, vajza më e vogël e miliarderit Bill Gates, ka zbuluar së fundmi disa detaje të pazakonta dhe personale për jetën në familjen Gates, gjatë një interviste në podcastin e njohur “Call Her Daddy”.
Gjatë bisedës, ajo tregoi për herë të parë publikisht se babai i saj, bashkëthemeluesi i Microsoft, ka sindromën e Aspergerit, një çrregullim i spektrit autik që ndikon në ndërveprimin shoqëror dhe komunikimin.
Ai është mjaft i çuditshëm në aspektin social, sepse ka sindromën e Aspergerit
-u shpreh Phoebe, duke shtuar se reagimet e tij ndaj partnerëve të saj romantikë janë shpesh zbavitëse, por edhe zbuluese.
Tani është bërë më e lehtë për mua, sepse është thjesht qesharake kur i prezanton një djalë babait tënd, dhe varësisht nga reagimi i tij, kupton nëse është i duhuri apo jo
-tha ajo me humor.
Aspergeri shpesh shoqërohet me aftësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e informacionit dhe përqendrim të lartë, por edhe me vështirësi në situata sociale – diçka që Phoebe e ka përjetuar nga afër në rritjen e saj me një nga njerëzit më të njohur në botë.
Phoebe Gates, e cila këtë vit lançoi edhe podcastin e saj personal “The Burnouts” së bashku me mikeshën Sophia Kianni, rrëfeu gjithashtu se ka përjetuar ndjenja pasigurie gjatë viteve të para në universitet, për shkak të statusit të saj të privilegjuar.
Hyra dhe thashë: ‘Jam shumë e privilegjuar, jam një fëmijë nepo (i njohur për shkak të prindërve)’, dhe kisha shumë pasiguri për këtë
-pranoi ajo në një episod të mëparshëm.
Podcasti i saj është përqendruar në sfidat që përballen të rinjtë që rriten nën hijen e prindërve të famshëm, dhe shfaq përpjekjet e Phoebe për të krijuar një identitet të vetin përtej mbiemrit Gates.