Bota

Bisedime për Groenlandën, kriza nuk ka marrë fund/ Danimarka: Takim pozitiv me SHBA, por nuk kemi ende akord

Nuk ishte një nismë pa rezultat. Ministrat e jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës deklaruan se bisedimet diplomatike me Shtetet e Bashkuara kanë qenë në masë të madhe konstruktive, por kriza nuk ka marrë fund.Ata paralajmërojnë se ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare lidhur me kërcënimin që, sipas tyre, përbën mania e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit autonom.

“Bisedimet ishin pozitive, por e ardhmja e Groenlandës, mbetet e paqartë. Ende nuk jemi aty ku duam të jemi. Rruga përpara është e gjatë dhe është ende herët për të thënë se ku do të përfundojmë”, u shpreh Vivian Motzfeldt, ministre e jashtme e Groenlandës.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen: “Nuk kemi dalë ende nga kjo situatë dhe nuk kemi një zgjidhje përfundimtare. Megjithatë, pozicioni ynë sot është shumë më i mirë krahasuar me disa javë më parë”.

Trump ka vijuar të shprehë publikisht dëshirën që Groenlanda t’i bashkohet SHBA-së, duke e justifikuar këtë me interesa të sigurisë kombëtare.

Megjithëse një traktat i vitit 1951 i lejon ushtrisë amerikane të krijojë dhe operojë baza ushtarake në Groenlandë, Trump ka argumentuar se mbrojtja e territorit mund të garantohet plotësisht vetëm nëse ai është në pronësi të SHBA-së, duke e quajtur këtë një hap “psikologjikisht të rëndësishëm”.

Ai pretendon se Kina dhe Rusia mund të përbëjnë një kërcënim për Groenlandën, veçanërisht me shkrirjen e akullnajave dhe hapjen e rrugëve të reja detare në Arktik — një vlerësim që Danimarka dhe aleatët e saj në NATO e hedhin poshtë.

Si rezultat i tensioneve, u krijua një grup pune i përbashkët mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së, me qëllim zbutjen shqetësimeve amerikane për sigurinë.  Rasmussen konfirmoi se takimet e para tashmë kanë ndodhur dhe se bisedimet do të vazhdojnë.