Blake Lively ka ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur privatësinë e saj, duke e cilësuar të papranueshme përpjekjen për të përfshirë komunikimet e saj personale me mikeshën e saj, Taylor Swift, në një proces gjyqësor që po zgjatet më shumë se sa ishte parashikuar.
Sipas “Daily Mail”, ekipi ligjor i aktores i është përgjigjur Justin Baldonit, duke e akuzuar atë për një “manovër mediatike” që ka si qëllim të përfshijë emra të njohur si Swift, për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të larguar fokusin nga thelbi i çështjes.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë theksohet se paditë për shpifje të ngritura nga Baldoni kundër Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe “New York Times” janë rrëzuar.
Ndërkohë, avokatët e Lively kanë kërkuar dokumente nga Scooter Braun dhe kompania e tij HYBE, që lidhen me Melissa Nathan, një specialiste PR e përmendur në dosjen gjyqësore.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar spekulime se Taylor Swift ka fshirë më parë foto me Lively-n, por fansat kanë sqaruar se kjo ka ndodhur vite më parë gjatë promovimit të albumit “Reputation” dhe nuk ka lidhje me situatën aktuale.
Përfshirja e emrave si Scooter Braun – me të cilin Swift ka pasur një konflikt të njohur publik mbi të drejtat e albumeve të saj të hershme – e ka komplikuar edhe më tej situatën.
Kujtojmë se këngëtarja tashmë i ka rimarrë të drejtat e këtyre albumeve dhe i ka ripublikuar nën markën “Taylor’s Version”.
Seancat gjyqësore pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme, ndërkohë që opinioni publik ndjek me kuriozitet një përplasje ku ndërthuren marrëdhënie personale, strategji të botës së PR-it dhe prapaskena të botës së famës.