Gossip Showbiz

Gjykata rrëzon padinë e Justin Baldonit kundër Blake Lively dhe Ryan Reynolds?

Gjykata Federale në Nju Jork ka hedhur poshtë padinë e ngritur nga regjisori dhe aktori Justin Baldoni kundër çiftit të famshëm të Hollywood-it, Blake Lively dhe Ryan Reynolds, publicistes së tyre Leslie Sloane, si dhe gazetës prestigjioze “The New York Times”.

Vendimi u dha të hënën, më 9 qershor, nga gjykatësi Lewis J. Liman, i cili vendosi në favor të palëve të paditura, duke rrëzuar të gjitha pretendimet për shantazh, shpifje dhe ndërhyrje të qëllimshme në marrëdhëniet kontraktuale.

Padia e Baldonit dhe kompanisë së tij, Wayfarer Studios, pretendonte se ai ishte viktimë e një fushate shpifjesh që kishin dëmtuar reputacionin dhe karrierën e tij, si dhe kërkonte një dëmshpërblim prej 250 milionë dollarësh nga “The New York Times”.

Megjithatë, sipas gjykatësit Liman, ekipi ligjor i Baldonit nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të treguar se Lively, Reynolds apo përfaqësuesit e tyre kishin dijeni që akuzat për sjellje të pahijshme seksuale ishin të rreme, siç kërkohet nga ligji për të provuar shpifjen.

Gjykata u shpreh se padia mund të riformulohet dhe të dorëzohet sërish deri më 23 qershor, por akuzat aktuale në formën që janë paraqitur nuk qëndrojnë në aspektin ligjor. Avokatët e Baldonit nuk kanë reaguar ende pas vendimit.

Kujtojmë që kjo çështje mori vëmendje të gjerë në fund të vitit 2024, kur Blake Lively ngriti publikisht akuza ndaj Baldonit për ngacmim seksual dhe hakmarrje.

Gazeta “The New York Times” ka deklaruar se qëndron pas raportimeve të saj për këtë rast, ndërsa çifti Lively-Reynolds nuk ka bërë deklarata të mëtejshme pas vendimit të gjykatës.