Aktualitet

Bllokimi i rrugëve, tregtia 1.2 miliardë euro sipas produkteve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut!

Bllokimi i lëvizjes në juglindje të vendit prek dhe pikat e rëndësishme kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me të cilat ka një aktivitet të ndjeshëm tregtar sidomos me shtetin grek.

Më të dy këto vende u realizua një volum tregtar prej 117 miliardë lekësh vitin e kaluar (importe+eksporte), apo rreth 1.2 miliardë euro. Sipas INSTAT-it, shuma përbën rreth një të dhjetën e volumit tregtar gjithesej në vend (9.5%).

Më 2025-ën, volumi tregtar me Greqinë (importe+eksportet) ishte 94 miliardë lekë, ose 960 milion euro, duke përbërë 7.6% të totalit të tregtisë.

Nga Greqia u importuan 70 miliardë lekë mallra. Ky shtet është partneri i katërt i importeve në vend, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë, me 8% të totalit. Produktet kryesore që importohen nga Greqia janë lëndët djegëse, artikujt e veshjeve; Përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj; Plastika dhe artikuj prej tyre; Frutat dhe arrat e ngrënshme.

Më e rëndësishme është Greqia për eksportet tona. Shteti fqinj është partneri i tretë për eksportet, pas Italisë, e Kosovës, me 7% të totalit ose 24 miliardë lekë.

Produkti kryesor i eksportuar janë artikujt e veshjeve, për shkak të industrisë fason, në jug të vendit, që punon me shtetin fqinj, ndjekur nga përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave, etj.

Interesant është që bilanci tregtar për zarzavatet me Greqinë është shumë i ulët, që do të thotë pothuajse sa importojmë, aq dhe eksportojmë.

Maqedonia e Veriut është partneri i shtatë për eksportet, (pas Italisë, Kosovës, Greqisë, Gjermanisë, Spanjës e Kinës). Drejt këtij shteti, më 2025-ën u eksportuan rreth 9 miliardë lekë ose 2.6% e totalit. Produkti kryesor i eksportuar janë lëndët djegëse, të ndjekura nga zarzavatet.

Importet nga Maqedonia e Veriut ishin 14 miliardë lekë më 2025-ën, apo 1.5% e totalit. Produktet kryesore të importuara janë lëndët djegëse, të ndjekura nga çimento.

Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tregtisë në vend realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, teksa partnerët kreysorë janë vende si Italia, Kina e Turqia (ndonëse kjo e fundit kryen dhe transport rrugor)./Monitor