Tech Top Tech - News

BMW X3 është ndërtuar nga një robot humanoid! Ja çfarë duhet të dimë…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Risia e BMW X3

Kushdo që ka blerë një BMW X3 gjatë këtyre pesë muajve të fundit… duhet ta dijë këtë: makina juaj është ndërtuar nga një robot humanoid. Jo, jo “robot” si ato krahët metalikë që bëjnë tzz-tzz në fabrika — po flasim për një njeri artificial me këmbë, duar dhe tru AI, që ka punuar 10 orë në ditë, çdo ditë, në linjën e prodhimit të BMW-së në Amerikë.

Këtë e ka konfirmuar vetë CEO i Figure AI — kompania që po tenton ta kthejë “Terminatorin” në punëtor fabrike (pa pjesën e apokalipsit, shpresojmë). Roboti i tyre ka bërë tashmë 5 muaj pune pa pushim, duke marrë pjesë në montimin e trupit të X3-shit. S’ka fjetur, s’ka kërkuar rrogë, as kafe. Vetëm ka marrë fletë metali dhe i ka vendosur aty ku duhej, si punëtori më i disiplinuar i BMW-së.

Dhe kjo është hera e parë në botë që një humanoid punon kaq gjatë në një linjë prodhimi reale. Deri tani, robotët humanoidë ishin më shumë “demo për YouTube” – bënin dy hapa, përshëndesnin kamerën, dhe binin. Ky i Figure po bën punë më shumë se shumë njerëz.

Sigurisht, ka dhe skeptikë: disa thonë se s’dimë sa autonom është në të vërtetë, a ka pasur ndihmë nga inxhinierët, apo thjesht po ndjek një cikël të përsëritur. Por sido që të jetë, fakti që një trup prej alumini ka mbajtur ritmin e prodhimit të BMWs për 5 muaj rresht… është goxha tregues për të ardhmen.

Dhe për t’i hedhur pak benzinë zjarrit, CEO tha në Twitter: “Kjo do të jetë gjëja më normale që do shihni nga ne këtë javë.”

Pra, nëse nesër BMW fillon të të dorëzojë makinën me një robot që të jep çelësat vetë… mos u çudit. E ka montuar vetë.