Kikboksieri i njohur me origjinë marokene, Jamal Ben Saddik, është dënuar nga një gjykatë në Antverp të Belgjikës me 40 muaj burgim – nga të cilat 20 muaj me kusht – për përfshirje në një skemë të pastrimit të mbi 1.2 milionë eurove përmes kontratave të falsifikuara dhe transaksioneve mashtruese.
Së bashku me të u dënuan edhe vëllai i tij, Said Ben Saddik, dhe një tjetër i pandehur, Emad N.
Ata ishin pjesë e një rrjeti kriminal të drejtuar nga biznesmeni Karim S. në Holandë, i cili është dënuar më parë për pastrim parash në vlerën e 2.5 milionë eurove.
Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet belge, Jamal dhe bashkëpunëtorët e tij përfituan nga fondet e paligjshme përmes një sërë kontratash të falsifikuara dhe dokumentacioni mashtrues.
Gjatë bastisjeve të kryera në kuadër të hetimeve, u sekuestruan mbi 508,000 euro në para të gatshme dhe dokumente të dyshimta.
Gjykata i dënoi të pandehurit edhe me gjoba financiare dhe ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve biznesore. Jamal Ben Saddik u gjobit me 40 mijë euro, vëllai i tij Said me 24 mijë euro dhe Emad N. me 16 mijë euro.
Emri i Ben Saddik nuk është i panjohur për autoritetet belge. Ai ka qenë më herët nën hetim për dhunë fizike dhe lidhje të dyshuara me trafik droge. Në vitin 2024, u arrestua në një rast të dyshuar rrëmbimi dhe dhune, por u lirua me kusht.
Pavarësisht telasheve me drejtësinë, Jamal Ben Saddik mbetet një figurë e njohur në botën e kikboksit. Ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në organizatën Glory, me një rekord prej 38 fitoresh.
Një nga momentet më të spikatura në karrierën e tij është fitorja ndaj kampionit Rico Verhoeven në vitin 2011.