Health & Beauty

Bota është në krizë për pistakio!

Tregu botëror i pistakio po përballet me një krizë të paprecedentë. Nga njëra anë, konsumatorët në mbarë botën janë “pushtuar” nga mania e “Dubai Chocolate”, çokollatat e mbushura me krem pistakio dhe brumë të hollë, të cilat janë bërë virale në rrjetet sociale dhe kanë rritur ndjeshëm kërkesën për produkte gjysmë të përpunuara dhe kremra.

Nga ana tjetër, Irani, që siguron rreth një të pestën e prodhimit botëror dhe deri në 31% të eksporteve globale, ndodhet në mes të një konflikti që po e bën logjistikën jashtëzakonisht të vështirë.

Sipas Financial Times, lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka përkeqësuar problemet ekzistuese. Behnam Heydaripour nga Borna Foods e përshkruan situatën si një “bast të rrezikshëm”: tregtarët me shumicë e kanë të vështirë të përcaktojnë çmimet, pasi rrugët detare janë devijuar ose anuluar, kostot e transportit janë rritur ndjeshëm dhe komunikimi me furnitorët iranianë është pothuajse i pamundur për shkak të ndërprerjeve të internetit në vend.

Në muajin mars, çmimet arritën në nivel rekord prej 4.57 dollarë për kilogram, niveli më i lartë në tetë vitet e fundit.

Përveç konfliktit aktual, në këtë situatë kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë. Së pari, kushtet klimatike: prodhimi i vitit 2025 rezultoi më i ulët se pritshmëritë jo vetëm në Iran, i goditur rëndë nga thatësira, por edhe në vende të tjera si Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, ndikim ka pasur edhe lufta ekonomike e gjatë ndaj Republikës Islamike. Sanksionet dhe trazirat e brendshme në Iran kishin ngadalësuar prej kohësh rrjedhën e mallrave, madje edhe para nisjes së luftimeve, duke çuar gjithashtu në rënien e fortë të monedhës vendase, rialit, i cili aktualisht ka një vlerë pothuajse të papërfillshme ndaj euros.