Sport

Botërori i Klubeve, Chelsea në çatinë e botës/Shpartallon PSG-në 3-0!

Kupa e Botës për Klube, Chelsea ia doli të ngrejë trofeun e kampionit duke mposhtur në finale 3-0 PSG-në. Dominimi nga djemtë e Marescas uli me “këmbë në tokë” kampionët e Champions League-s.

Ndeshja nisi mirë për Chelsea-n. Pas vetëm 22 minutave lojë, Cole Palmer e zhbllokoi me asistin e Malo Gustos. Tetë minuta më vonë e sërish Palmer dërgoi në rrjetë pasimin final të Colwill-it. Më tej ishte Joao Pedro që vulosi takimin me golin e tretë të asistuar nga Palmer, njeriu i ndeshjes.

Në pjesën e dytë, heroi i Chelsea-t ishte portieri Sanchez, i cili ndali Dembelen dhe Vitinhan nga dy gola të sigurt. Në fund, PSG mbeti me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Joao Nevesit. Nuk munguan as tensionet mes futbollistëve në fushë, por gjithçka u shua dhe Chelsea festoi suksesin.

Në këtë duel u vu re se FIFA lejoi që pushimi mes pjesëve të ishte 22 minuta dhe jo 15 si gjithmonë, kjo për arsye se një spektakël me emrat më në zë të muzikës botërore u zhvillua për të argëtuar më shumë se 82 mijë spektatorët në impiant.

Trump në stadium

Presidenti amerikan, Donald Trump e ndoqi nga afër finalen e transmetuar ekskluzivisht live në DigitAlb, në stadiumin MetLife Stadium në New Jersey. Trump dhe bashkëshortja Melania ishin në krah kreut të FIFA-s, Gianni Infantino dhe personaliteteve të futbollit botëror e zyrtarëve më të lartë të dy klubeve finaliste.

Me suksesin e shënuar, Chelsea ka arkëtuar gati 100 milion dollarë, 50 milion vetëm nga trofeu dhe pjesa tjetër nga arritjet në këtë turne.

Ndërkohë, PSG-së i mbetet të kënaqet me diçka më pak (40 milion dollarë vetëm nga vendi i dytë), por djemtë e Luis Enriques që hynë në fushë me statusin e protagonistit, zhgënjyen.

PSG ishte ekipi favorit, por kjo nuk i frenoi anglezët e Chelsea-t që nuk hynë në fushë të frikësuar, si dhe zbarkuan me një plan taktik mjaft të qartë.

Mjaft i kënaqur tekniku i Chelsea-t, Enzo Maresca:

Nuk kam fjalë për të përshkruar lojtarët e mi. Të gjithë meritojnë këtë fitore. Eshtë një moment shumë i bukur. Për mua, garën e fituam që në 10 minutat e para.