Ceremonia prestigjioze e “BRIT Awards” do të largohet për herë të parë nga Londra, duke shënuar një ndryshim historik pas 46 vitesh traditë. Edicioni i ardhshëm i çmimeve më të rëndësishme të muzikës britanike do të zhvillohet në Manchester, konfirmon DailyMail.
Kjo lëvizje e paprecedentë synon të hapë një kapitull të ri për BRIT Awards, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës dhe më pranë audiencave të reja në rajone të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar.
Burime brenda industrisë muzikore sugjerojnë se përveç qëllimit zyrtar për të “decentralizuar” eventin, zhvendosja vjen edhe si pasojë e kostove të larta në Londër.
Prej vitit 2011, ceremonia është mbajtur në O2 Arena në Londër, ndërsa më herët ka pasur si mikpritës vende të njohura si Royal Albert Hall, Wembley Conference Centre dhe Earl’s Court.
Por tani, BRIT Awards do të thyejë traditën, me eventin që pritet të mbahet në Co-op Live Arena, hapësira më e re koncertale në Manchester.
Zyrtarisht është fundi i një epoke. BRIT Awards ka qenë gjithmonë një ngjarje e lidhur me Londrën që nga viti 1977. Kjo është hera e parë që largohet nga kryeqyteti
-deklaroi një burim për DailyMail.
Ndonëse ndryshimi pritet të mirëpritet nga fansat jashtë Londrës, disa artistë dhe përfaqësues të shtëpive diskografike janë të shqetësuar për kostot shtesë të udhëtimit dhe akomodimit, duke vënë në dyshim nëse do të organizohen mbrëmjet e famshme pas ceremonisë si më parë.
Spekulimet janë rritur se grupi legjendar Oasis, i cili thuhet se është ribashkuar së fundmi, mund të performojë në qytetin e tyre të lindjes, Manchester, për herë të parë pas shumë vitesh – pikërisht gjatë BRIT Awards 2026.
Burime të afërta me organizatorët thonë se zhvendosja mund të çlirojë buxhet shtesë për të ftuar emra të mëdhenj në skenë – një aspekt për të cilin BRIT Awards ka qenë gjithmonë i njohur.
BRIT Awards është shquar ndër vite për momentet ikonike dhe shpeshherë kontroverse, që kanë hyrë në historinë e muzikës britanike: nga rrëzimi i Madonnës në 2015, te incidenti i Jarvis Cocker që ndërpreu performancën e Michael Jacksonit në 1996, apo DJ Brandon Block që u përball me Ronnie Wood në vitin 2000.
Ceremonia është drejtuar nga emra të njohur si Jack Whitehall, Kylie Minogue, Chris Evans dhe Peter Kay, ndërsa edicioni i vitit 1989 mbetet më famëkeqi për kaosin teknik dhe moderimin e dështuar nga Samantha Fox dhe Mick Fleetwood.
Me zhvendosjen në Manchester, BRIT Awards po përpiqet të përshtatet me kohën, duke ndjekur shembullin e çmimeve “Mercury Prize” dhe “MOBO Awards”, të cilat prej kohësh nuk janë të lidhura me një qytet të vetëm.
A do të jetë ky hap një ringjallje për ceremoninë më të madhe të muzikës në Britani, apo do të sjellë ndarje mes industrisë dhe fansave?
Përgjigjen do ta japë edicioni i ardhshëm në Manchester – një qytet që i ka dhënë muzikës disa nga emrat më të mëdhenj në histori.