Britania e Madhe ka premtuar 4 milionë paund ndihmë humanitare për Gazën, gjatë një vizite të Ministres së Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Jenny Chapman, në Izrael dhe territoret palestineze.
“Banorëve të pambrojtur të Gazës duhet t’u jepet urgjentisht qasje e plotë në ndihmë”, tha Chapman gjatë vizitës.
Qeveria tha në një deklaratë se ky njoftim i ri për ndihmë do të mbështeste organizatat në terren që kërkojnë të sigurojnë ushqim, ujë dhe ilaçe për ata që kanë nevojë.
Palestinezët e Gazës janë duke pritur ende ndihma nga ndërkombëtarët, pasi kanë ngelur pa ushqim dhe pa ujë.
“Nuk kemi ushqime, miell apo ujë. Më parë merrnim ujë nga një pompë, por tani ka ndaluar së punuari, nuk ka as benzinë dhe as naftë”, shprehet një 67-vjeçare nga qyteti verior i Gazës.
Palestinezët në enklavë ende presin mbërritjen e premtuar të ndihmave, pavarësisht presionit ndërkombëtarë dhe vendas mbi Izraelin për të lejuar sa më shumë pako ushqimesh përtej kufirit.Më pak se 100 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza, sipas shifrave të fundit të Izraelit, që nga e hëna, kur qeveria e Benjamin Netanyahut pranoi të hiqte bllokadën 11-javore ndaj ndihmave.
Dhe me sulmet ajrore që vazhdojnë të godasin enklavën, furrtarët dhe operatorët e transportit vendas thanë se ende nuk kishin parë furnizime të reja me miell dhe artikuj të tjerë thelbësorë.
Abdel-Nasser Al-Ajramy, kreu i shoqatës së pronarëve të furrave të bukës, tha se të paktën 25 furra buke që iu tha se do të merrnin miell nga Programi Botëror i Ushqimit nuk kishin parë asgjë.