Britania e Madhe njoftoi se Ukrainës do t’i ndahen 580 milion dollarë ndihmë ushtarake, në prag të samitit të Grupit të Kontaktit për këtë shtet. Shuma e mundësuar në bashkëpunim me Norvegjinë do të shpenzohet për të ndihmuar Kievin me qindra mijëra dronë luftarakë, sisteme të radarëve e mina antitanke, si dhe për kontrata për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara të Ukrainës.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sot bashkëdrejtojnë samitin e 27-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Në prag të takimit në Bruksel, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se çështje me rëndësi është forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.
Ukraina ka nevojë për një numër të mjaftueshëm sistemesh moderne si ato të tipit “Patriot”, njoftoi Umerov në një postim në rrjetet sociale. Nevojitet një vendim politik për furnizimin e këtyre sistemeve, me qëllim mbrojtjen e qyteteve, fshatrave dhe jetës së njerëzve tanë, veçanërisht nga kërcënimi i armëve balistike të Rusisë. Partnerët tanë kanë sisteme të tilla në dispozicion.
Forcat ruse e kanë përparësinë te lufta në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt. Zyrtarët ukrainas dhe analistët besojnë se Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë të re ushtarake në javët në vijim, për ta rritur presionin dhe për t’i forcuar pozitat e Kremlinit në bisedimet për armëpushim.
Takimet e Grupit të Kontaktit për Ukrainën janë kryesuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes deri në çastin kur Donald Trump mori detyrën si president në janar. Prej asaj kohe, Healey e ka marrë përsipër këtë detyrë, duke kryesuar takimin e tij të parë në muajin shkurt.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se paketa e re dhe “e madhe” e mbështetjes ushtarake do të dorëzohet nga furnizues britanikë e ukrainas për të ndihmuar në përforcimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në luftën e tyre për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.