Bota

Bullgari, diplomati kongolez kapet me rreth 19 milion euro kokainë në makinë!

Ministria e Brendshme e Bullgarisë njofton se sekuestroi 206 kilogramë kokainë në një automjet me targa diplomatike, në pikën kufitare me Turqinë. Sasia rekord e drogës, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 19 milion eurosh është konfiskimi më i madh ndonjëherë në një kufi tokësor bullgar.

Sipas deklaratës zyrtare, kokaina u gjet në një automjet tip Land Rover me targa diplomatike, i cili drejtohej nga një shtetas bullgar dhe shoqërohej nga një belg e një tjetër person nga Republika Demokratike e Kongos, që mbante status diplomatik. Mediat lokale, duke cituar burime nga prokuroria, raportuan se personi me status diplomatik kishte akreditim për Belgjikën, çka do të thotë se ai mund të mos gëzojë imunitet diplomatik në territorin bullgar.

Automjeti po udhëtonte nga Belgjika në drejtim të Turqisë kur u ndalua nga autoritetet kufitare bullgare. Të tre personat në automjet, shoferi bullgar dhe pasagjerët belg e kongolez, u ndaluan nga policia. Autoritetet kufitare kanë nisur hetimet për ngjarjen.

Raportohet se çështja po trajtohet me prioritet të lartë për shkak të përfshirjes së mundshme të rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ngjarja ka ngritur shqetësime të reja mbi abuzimin me statusin diplomatik për qëllime kriminale, si dhe ka shtuar presionin mbi institucionet europiane për të përforcuar kontrollet dhe transparencën në rastet e kalimeve diplomatike.