Bota

Bullgaria sfidon kaosin dhe vazhdon rrugën drejt euros!

Autoritetet bullgare presin të marrin dritën jeshile këtë javë nga Komisioni Europian dhe nga Banka Qendrore Europiane për të futur euron në përdorim nga 1 janari i vitit 2026. Një sinjal i tillë vjen pavarësisht protestave kundër euros, në të cilat të rinjtë e zemëruar bullgarë valëvisin flamuj bullgarë e rusë, si dhe një incidenti të rëndë me zjarrvënie ndaj ndërtesës së Komisionit Europian në Sofje.

Miratimi i euros ishte kusht për anëtarësimin e Bullgarisë në Bashkimin Europian, por dështimet legjislative përfshirë reformat për të luftuar pastrimin e parave, më pas shqetësimet për inflacionin dhe bllokada e vazhdueshme politike e kanë bërë rrugën të vështirë.

Megjithatë, më 4 qershor, Bullgaria pret një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane për gatishmërinë e saj për të futur euron nga viti i ardhshëm. Vendimi në favor do të ishte hapi i dytë i madh për Bullgarinë brenda një viti në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në BE. Në janar, Sofja zyrtare është bërë anëtare e plotë e zonës Schengen dhe kufijtë e Bullgarisë me Greqinë dhe Rumaninë fqinje tani janë plotësisht të hapur.

Bullgaria hyri në BE në vitin 2007 dhe me nënshkrimin e traktatit të pranimit, u zotua se do të fuste në përdorim edhe euron. Që atëherë, ky qëllim është mbështetur vazhdimisht nga të gjitha qeveritë në Sofje. Megjithatë, çështja u shty fillimisht për shkak të krizës financiare në Greqi në vitin 2010.

Më pas, në vitin 2014, falimentoi një bankë e madhe bullgare dhe institucionet lokale nuk i kanë hetuar ende plotësisht shkaqet. Vetëm në vitin 2020 Bullgaria u bë anëtare e Mekanizmit Europian të Kursit të Këmbimit, ERM II, apo e së ashtuquajturës sallë e pritjes për euron.

Por, për t’i shtuar edhe më shumë pengesat në rrugën drejt euros, Bullgaria u zhyt në një periudhë turbulencash politike, duke mbajtur shtatë palë zgjedhje parlamentare që nga viti 2021, të cilat u pasuan me një numër qeverish jetëshkurtra.

Megjithatë, një anë pozitive në këtë paqëndrueshmëri ka qenë fakti se ajo i ka bërë reformat kundër korrupsionit pjesë të agjendës qeveritare, politikanë properëndimorë me orientim reformist janë tani në parlament.