Gossip

Burri australian dëbohet nga Singapori pas tentativës për të kapur Ariana Grande?

Një burrë australian, Johnson Wen, 26 vjeç, është dëbuar dhe i është ndaluar hyrja në Singapor pas incidentit ku tentoi të afrohej me forcë tek këngëtarja dhe aktorja Ariana Grande gjatë premierës aziatike të filmit “Wicked: For Good” më 13 nëntor.

Wen u dënua me nëntë ditë burg për shqetësim publik, pasi shtyu fotografët dhe u përpoq të kapërcente barrikadat për të arritur tek Grande. Bashkëprotagonistja e filmit, Cynthia Erivo, e zmbrapsi atë nga ylli i popit.

Autoriteti i Emigracionit dhe Pikave të Kontrollit (ICA) tha se ai tani është “ndaluar të hyjë sërish në Singapor”.

Wen ka një histori të ngjashme prishjeje të eventeve të personazheve të famshëm, përfshirë një incident gjatë koncertit të Katy Perry në Sidnej në qershor të këtij viti.

Incidenti ka ngjallur zemërim në publik, duke kujtuar edhe streset post-traumatike që Grande ka përjetuar pas sulmit në koncertin e saj në Mançester në vitin 2017, ku humbën jetën 22 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

Gjatë gjyqit u raportua se Wen kishte tentuar dy herë të hynte në premierë, por stafi i sigurisë e ndaloi dhe e shtriu përtokë.