Prodhuesit e çamçakëzit kanë pretenduar prej dekadash se përtypja është e mirë për shëndetin mendor. Dhe, në fakt, diçka të vërtetë ka në këtë ide.
Ndërsa dhjetëra mijëra biznese falimentuan gjatë Depresionit të Madh, William Wrigley Jr. vazhdoi të fitonte para. “Mesa duket, njerëzit përtypin më fort kur janë të trishtuar”, thoshte Wrigley, perandoria e të cilit krijoi marka si Juicy Fruit dhe Spearmint. Edhe pse sot shumica e përdorin çamçakëzin për të freskuar frymëmarrjen, në fillim të shekullit XX ai ofronte edhe qetësim nervash. “Qetëson nervat”, thuhej në një reklamë të Wrigley-t të vitit 1918.
Kjo strategji marketingu po rikthehet sot, ndërsa kompanitë përpiqen të rrisin shitjet. Gjatë pesë viteve të fundit, njerëzit kanë përtypur më pak çamçakëz. Shitjet ranë ndjeshëm gjatë pandemisë, me gati një të tretën në SHBA dhe disa marka klasike u larguan nga tregu, si Fruit Stripe. Për të frenuar rënien, kompanitë po e promovojnë sërish çamçakëzin si një qetësues për mendjen, jo thjesht për gojën. Reklama të reja u thonë njerëzve të “përtypin problemet”.
Wrigley ishte një mjeshtër i marketingut dhe pretendimet e tij nuk mbështeteshin në shkencë. Megjithatë, ai duket se kishte zbuluar diçka reale për efektin qetësues të çamçakëzit, e cila vlen edhe sot.
Kur shkencëtarët kanë studiuar efektet njohëse të përtypjes, kanë zbuluar se çamçakëzi ndihmon vëmendjen dhe ul stresin te personat që e përtypin rregullisht.
Por një mister mbetet: pse na pëlqen përtypja?
Është e çuditshme: shijet mund të jenë tërheqëse, por çamçakëzi nuk ka vlerë ushqyese dhe shpesh njerëzit vazhdojnë ta përtypin edhe pasi shija është zhdukur. Duket se vetë akti i përtypjes është ai që tërheq, një mënyrë e thjeshtë për t’u qetësuar ose për të përmirësuar përqendrimin.
Si mundet një lëvizje e nofullës të ndryshojë mënyrën se si ndihemi?
Njerëzit kanë krijuar substanca për t’i përtypur prej mijëra vitesh dhe kjo praktikë është dokumentuar në kultura të ndryshme anembanë botës. Një nga çamçakëzët më të vjetër të zbuluar daton rreth 8 mijë vjet më parë në Skandinavi dhe ishte bërë nga rrëshirë lëvore thupre.
Edhe grekët e lashtë, amerikanët autoktonë dhe majat përtypnin substanca ngjitëse që vinin nga pemët, siç ishte çikëlli.
Çamçakëzi mbërriti në SHBA kur një shpikës nga Nju Jorku siguroi çikëll nga një ish-president meksikan i dëbuar në vitet 1850.
Çamçakëzi ndihmon më shumë kur një person ndihet i lodhur ose i shpërqendruar, por jo domosdoshmërisht kur është shumë i përqendruar.
Pse na pëlqen të përtypim?
Shkencëtarët nuk kanë ende një përgjigje përfundimtare. Disa teori sugjerojnë se përtypja rrit qarkullimin e gjakut në tru, të tjera se aktivizimi i muskujve të fytyrës ndihmon përqendrimin. Një ide tjetër është se përtypja shërben si një formë “fidgeting”, një lëvizje e përsëritur që na ndihmon të përqendrohemi dhe të qetësohemi, njësoj si trokitja me këmbë apo shtrydhja e një topi antistresi.
Ndoshta çamçakëzi ndihmon mendjen jo përmes ndonjë mekanizmi magjik, por sepse i jep trurit diçka të thjeshtë dhe ritmike për të bërë.
Pavarësisht vështirësive të industrisë sot, çamçakëzi ka pak gjasa të zhduket. Siç ka shkruar edhe shkrimtari Karl Ove Knausgard: “Nga një këndvështrim thjesht fiziologjik, të përtypësh diçka pa e gëlltitur është e pakuptimtë”. Por edhe ai pranon se nuk mund të shkruajë pa çamçakëz.