Health & Beauty

Çdo kilogram i humbur ul kolesterolin e keq më shumë se një pikë!

Kolesteroli i lartë mbetet një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, një nga shkaqet kryesore të vdekjes në vendet perëndimore. Ndryshimet e përditshme kontribuojnë në uljen e niveleve: adoptimi i një stili jetese të shëndetshëm, ushtrimet e rregullta dhe ndjekja e një diete të ekuilibruar. Provat shkencore mbështesin gjithashtu rëndësinë e humbjes së peshës.

Kjo konfirmohet nga një studim i botuar në “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, në të cilin studiuesit nga klinika “Mayo” në Shtetet e Bashkuara raportojnë se për çdo kilogram të humbur, nivelet e kolesterolit ulen me 1,28 mg/dL.

Një studim global i kryer nga studiues italianë dhe i botuar në “Nature Reviews Cardiology” zbuloi se kolesteroli i lartë ka çuar në paaftësi në mbi 98 milion individë dhe ka shkaktuar 4,4 milion vdekje, duke rezultuar në një barrë të madhe shëndetësore”, thekson Pasquale Perrone Filardi, president i Shoqatës Italiane të Kardiologjisë.

Hulumtimi i botuar në “Journal of Clinical Endocrinology&Metabolism”, vlerësoi lidhjen midis humbjes së peshës dhe ndryshimeve në profilet e lipideve, kolesterolit total, LDL, HDL d triglicerideve, te të rriturit mbipeshë ose obezë.

Autorët analizuan 73 studime klinike që përfshinin një total prej 32 mijë e 496 pjesëmarrësish, me një moshë mesatare prej 48 vjeçësh e një peshë mesatare prej 101,6 kg. Rezultatet treguan një marrëdhënie proporcionale midis humbjes së peshës dhe përmirësimit të profilit lipidik.

Konkretisht, pas 12 muajsh ndërhyrjesh në stilin e jetës, çdo kilogram i humbur u shoqërua me një ulje mesatare prej 4 mg/dL të triglicerideve, 1,28 mg/dL të kolesterolit LDL dhe një rritje prej 0,46 mg/dL të kolesterolit HDL, kolesterolit “të mirë”.

Janë publikuar gjithashtu udhëzime të reja për menaxhimin dhe trajtimin e dislipidemisë, të prodhuara nga përpjekjet e përbashkëta të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC) dhe asaj Evropiane të Aterosklerozës (EAS).

Kolesteroli total nuk konsiderohet më një parametër i dobishëm, por më tepër kolesterol “i keq” dhe Lipoproteina(a), një lloj i veçantë grimce lipidike e ngjashme me kolesterolin LDL, por shumë më e rrezikshme, për këtë arsye quhet edhe kolesterol “super i keq”.