Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, për të diskutuar postin e presidentit të vendit. Ora e takimit, ende nuk është bërë e ditur.
Disa herë në studiot televizive në Kosovë, Abdixhiku ka theksuar se duhet arritur marrëveshje, që LDK-ja e drejtuar prej tij, të jetë në sallë kur të votohet rreth çështjes. Kjo parti i mundësoi kuorumin presidentes aktuale, Vjosa Osmani kur siguroi mandatin e parë, në prill të vitit 2021.
Osmanit i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për votimin e presidentit është 4 marsi. Po për këtë çështje, dje Kurti diskutoi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Kryeministria bëri të ditur se palët u pajtuan se bashkëpunimi është i nevojshëm “duke qenë se duhen së paku 2/3-at e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm.
Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat, por nuk dihet nëse i ka votat e nevojshme, pasi në disa raste është përshkruar nga partitë opozitare si “e afërt” me partinë e Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje.
Deri më tani, partitë e tjera nuk kanë përmendur një kundërkandidat. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta shqyrtonte mundësinë e postit, nëse partitë e tjera opozitare tregojnë disponim, por sipas tij, nuk kanë qenë të interesuara.
Për çdo kandidaturë duhet të sigurohen të paktën 30 firma deputetësh. Kurti ka 57 vende në Kuvendin e Kosovës ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhen të paktën 80 nga 120 në total.
Nëse në dy raundet e para të votimit një kandidat nuk siguron 80 vota, në votimin e tretë mjaftojnë 61. Pavarësisht rolit ceremonial presidencial, mospërmbushja e afateve i kushton shtetit.
Në rast se Kosova nuk e ka emrin e ri për postin e presidentit deri më 4 mars, atëherë duhet të organizojë zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.