Në Bruksel, takimet e Albin Kurtit e Aleksander Vuçiçit pritet të jenë vetëm mes secilit prej tyre me ndërmjetës europianë të dialogut dhe nuk ka gjasa që sot të ulen në tryezë të përbashkët, por nuk është thënë fjala e fundit. Mësohet se kryediplomati europian, Josep Borrell i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak do të kenë bisedime të ndara me dy liderët. Në fokus, menaxhimi i krizave.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, nuk tregoi saktësisht nëse do të ketë apo jo takim trepalësh.
Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është që sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim si do të shkojnë takimet e pastaj mund të dimë më shumë.
Në kryeqendrën europiane, takimet pritet të nisin pasdite.
Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve, në mënyrë që palët të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Pas takimeve, Borrell do të flasë për mediat. Kurti dhe Vuçiç konfirmuan pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Josep Borrell. Më herët gjatë ditës, Vuçiç tha se do të takojë kryediplomatin europian, por jo Albin Kurtin.
Një ditë më parë, Kurti konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e Brukselit e theksoi se do të kërkojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës e Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e zgjidhjes lidhur me krizën aktuale.
Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente, për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i gjendjes e zgjedhje të reja në veri, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në.
Për situatën në veri të Kosovës, këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy zyrtarët perëndimorë kërkuan shtensionimin e gjendjes.