Lifestyle

Çfarë do të thotë të jesh “sapioseksual/e”?!

Të jesh sapioseksual/e do të thotë që inteligjenca është faktori kryesor i tërheqjes. Për këta njerëz, “zona erogjene” numër 1 është mendja. Nëse në një takim të parë dikush fillon të flasë me pasion për mikrobiologjinë, poezitë e Sylvia Plath, algoritmet, filozofinë apo artin… dhe në vend që të mërzitesh, ndien një lloj emocionimi të vërtetë, atëherë është shumë e mundshme që tërheqja jote të kalojë kryesisht nga truri nga lidhja mendore që krijohet. Kjo nuk do të thotë se pamja fizike apo kimia fizike nuk kanë rëndësi, por se dëshira ndizet më fort kur ndizet mendja.

Termi “sapioseksual” u krijua për herë të parë në 1998, por u bë realisht pjesë e përdorimit të gjerë pas 2014, kur aplikacioni i njohur i takimeve ‘OkCupid’ e futi si një opsion identitar që përdoruesit mund ta zgjidhnin. Ai përdoret si një përshkrim, por nuk është një kategori e ngurtë dhe nuk nënkupton përjashtimin e elementëve të tjerë të dëshirës. Më shumë sesa “orientim” i mirëfilltë seksual, sapioseksualiteti shpjegon që, për disa persona, ngarkesa erotike e dikujt lidhet ngushtë me inteligjencën e tij. Tërheqja lind kur tjetri “ta vë trurin në punë”: humor i hollë, lojë fjalësh, vëzhgime të mprehta, ide që të nxisin. Nuk ka të bëjë me “mburrje intelektuale” apo grumbull faktesh, por me aftësinë për të krijuar një shkëmbim të gjallë dhe stimulues, ku mendja dhe trupi ecin bashkë.

Si mund të njohësh (ose të takosh) një person sapioseksual?

Disa platforma takimesh e kanë futur “sapioseksual/e” si preferencë, duke u mundësuar njerëzve të identifikohen dhe të kërkojnë persona me interesa të ngjashme. Pas OkCupid, janë shfaqur edhe platforma të dedikuara si ‘Sapio Intelligent Dating dhe Sapiophile’, të konceptuara për të lidhur njerëz që i japin rëndësi të veçantë përputhjes intelektuale. Por edhe jashtë aplikacioneve, vendet “ideale” ku mund të njohësh dikë me këtë prirje janë:

  • evente kulturore, konferenca, diskutime, panele
  • klube leximi, komunitete online të temave të thelluara
  • mjedise ku dialogu dhe idetë janë “qendra” e njohjes

Sepse aty, shkëmbimi i ideve dhe interesat e përbashkëta krijojnë terren për marrëdhënie që mbështeten te dialogu dhe përputhja kulturore.