Celebrities Health & Beauty Magazine Music

Çfarë është kujtesa muzikore dhe si ndikon tek individët e prekur nga Alzheimer?

Le të kujtojmë kur familja e Tony Bennett njoftoi se këngëtari po vuante nga Alzheimeri, shumëkush mbeti i befasuar kur ai arriti të performonte dy koncerte të mëdha, duke mbajtur mend të gjithë tekstet. Megjithatë, lidhja mes muzikës dhe trurit është më e thellë dhe më e fuqishme sesa mund të duket.

Aftësia e artistit për të ruajtur kujtimet muzikore dhe tekstet, edhe pas diagnostikimit me Alzheimer ishte e mrekullueshme, por nuk është kaq e çuditshme për shkencën neurologjike.

Thuhet se muzika është një stimulues i fuqishëm i kujtesës. Dëgjimi i një kënge që ka një kuptim të veçantë për një individ – për shembull, një këngë e preferuar ose një ngjarje të paharruar – mund të shkaktojë rikthimin e kujtimeve të gjalla. Kjo ndodh edhe kur një sëmundje si Alzheimeri ka prekur pjesë të tjera të trurit. Edhe pse shumë njerëz me Alzheimer mund të kenë vështirësi me kujtimin e ngjarjeve të fundit ose emrave të të dashurve, ata shpesh janë në gjendje të risjellin kujtimet muzikore që lidhen me periudha të kaluara të jetës së tyre.

Kërkime të shumta kanë dëshmuar benefitet e muzikës në mbështetje të kujtesës autobiografike dhe episodike, si dhe për funksionin njohës dhe trajtimin e simptomave psikiatrike, përfshirë ato te individët me Alzheimer.

Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten se pse ndodh që kujtimet muzikore shpesh mbeten të paprekura, ndërsa pjesë të tjera të trurit fillojnë të dëmtohen nga sëmundja?

Biologjia e kujtesës muzikore

Muzika aktivizon shumë zona të trurit. Këto përfshijnë rajonet që përpunojnë tingujt dhe amigdala, e cila është thelbësore për përpunimin emocional dhe kodifikimin e kujtimeve të lidhura me emocionet.

Një teori sugjeron se këto rajone janë më të qëndrueshme ndaj dëmtimit të qelizave, ndaj ato janë më të afta të ruajnë kujtimet muzikore, edhe kur pjesë të tjera të trurit preken nga sëmundja.

Një studim i vitit 2015 shqyrtoi trurin e individëve të shëndetshëm dhe ata me Alzheimer, duke studiuar përgjigjet e trurit ndaj këngëve të njohura. Studiuesit zbuluan se zonat e trurit që lidhen me kujtimet muzikore nuk shfaqin dëmtime të konsiderueshme në rastin e Alzheimerit.

Në një tjetër studim, kujtimet e nxjerra nga fotografitë u dobësuan ndjeshëm, ndërkohë që ato muzikore mbetën të forta. Ky dhe studime të tjera po tregojnë se pjesët e trurit që përpunojnë muzikën janë ato që dëmtohen më ngadalë nga sëmundja e Alzheimerit. Kjo është arsyeja pse terapia muzikore është një mjet i fuqishëm për të ndihmuar pacientët me Alzheimer të lidhen me kujtimet që ende kanë.

Terapia muzikore për Alzheimerin

Terapia muzikore është një ndërhyrje e njohur për trajtimin e simptomave të Alzheimerit. Kudo në botë, janë krijuar programe muzikore që ndihmojnë njerëzit me këtë sëmundje të përmirësojnë cilësinë e jetës. Këto mund të përfshijnë dëgjim pasiv të muzikës, krijimin e listave të këngëve që nxjerrin kujtime, ose madje luajtjen dhe këndimin e muzikës – siç bëri Tony Bennett gjatë karrierës së tij.

Një nga avantazhet e terapive muzikore është se ato janë të këndshme dhe të lehta për t’u realizuar, në krahasim me trajtimet tradicionale medicinale. Ato gjithashtu ofrojnë mundësinë për t’u lidhur me të dashurit, duke krijuar mundësi për rikthimin e kujtimeve, të cilat mund të kenë humbur për shkak të sëmundjes.

Edhe pse Tony Bennett mund të kishte vështirësi në kujtimin e disa detajeve për shkak të Alzheimerit, ai ruante ende ritmin dhe aftësinë për të kënduar, një dëshmi e fuqisë së muzikës si një forcë e pandalshme për kujtesën.

Terapia muzikore nuk është e rezervuar vetëm për muzikantët; por për çdo person që ka pasur një lidhje sado të vogël me muzikën në jetën e tij, ajo mund të shërbejë si një mënyrë për të riaktivizuar kujtimet dhe për të ndihmuar ata që po kalojnë një eksperiencë të ngjashme me Alzheimerin.

Pra, nëse keni një të afërm apo person të dashur që po lufton me këtë sëmundje mund të provoni terapinë muzikore me ta, me shumë mundësi mund të befasoheni nga reagimi i tyre dhe arrini të krijoni momente tepër emocionale e të bukura për të gjithë ju.